Autoriteti i Konkurrencës ka mbyllur hetimin e thelluar ndaj bankave tregtare në tregun e ndërmjetësimit për sigurimin e jetës për kreditë.
Në përfundim të hetimit, Autoriteti i Konkurrencës nuk ka provuar shkelje të ligjit për mbrojtjen e konkurrencës dhe nuk ka ndërmarrë ndëshkime për asnjë nga subjektet e hetuara.
Megjithatë, Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur si masë detyruese ndaj bankave që të lejojnë shprehimisht që çdo huamarrës të ketë të drejtë të përzgjedhë kompaninë ku do të kryejë sigurimin e kërkuar të jetës për kredinë bankare.
Bankat janë urdhëruar të ndryshojnë dispozitën përkatëse të kontratës tip të kredisë dhe t’i njohin kredimarrësit të drejtën për të siguruar jetën në secilën nga shoqëritë e sigurimit të licencuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Në praktikën e deritanishme, përgjithësisht klientëve u njihet mundësia e zgjedhjes së kompanisë së sigurimit mes atyre të pranuara nga banka.
Gjithashtu, vendimet përcaktojnë si masë detyruese që secila bankë të hartojë dhe zbatojë, për çdo kredimarrës një formular të vetëm, në të cilin të pasqyrohen ofertat e të gjitha shoqërive të sigurimit, sipas propozimit të primit nga secila shoqëri sigurimi. Formulari në fjalë duhet të ketë në faqen e parë, me shkrim të dukshëm, pa numër rendor emrin e secilës shoqëri sigurimi jete dhe në vijim të emrit, vlerën e primit sipas koeficienteve përkatës dhe përzgjedhjen ? kredimarrësit. Ky formular duhet të nënshkruhet nga të dy palët, banka dhe kredimarrësi, dhe të ruhet si pjesë përbërëse e dosjes së kredisë e aksesueshme në çdo moment nga Autoriteti Konkurrencës.
Vendimet përcaktojnë gjithashtu detyrimin, në kuadër të informacionit parakontraktor të dorëzuar çdo kredimarrësi, për të përfshirë një njoftim të qartë, të shkruar dhe të plotë mbi përpunimin e të dhënave personale për qëllimet e vlerësimit dhe verifikimit të sjelljes së bankës në treg, përfshirë dhe aksesin dhe përpunimin e të dhënave nga Autoriteti i Konkurrencës, në rast monitorimi, hetimi paraprak apo hetimi të thelluar ndaj bankës.
Kjo masë detyruese u vendos pas qëndrimit të Komisionierit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, që i ndaloi bankat të ndanin me Autoritetin e Konkurrencës të dhënat personale të klientëve, për efekt të hetimit në fjalë.
Në rast të moszbatimit të masave të mësipërme detyruese, bankat tregtare rrezikojnë gjobë deri në 5% të xhiros mesatare ditore për vitin financiar paraardhës, sipas parashikimeve të nenit 76 të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”
Pavarësisht se Autoriteti nuk gjeti prova të mjaftueshme për të provuar shkelje ligjore, në disa prej bankave u evidentuan praktika që, sipas këtij institucioni, krijojnë dyshime të forta për kufizimin e konkurencës dhe të drejtës së zgjedhjes së huamarrësve në sigurimin e jetës.
Sipas Autoritetit të Konkurrencës, rrethanat e identifikuara në lidhje me dispozitat kontraktore, praktikën e komunikimit të ofertave vetëm në mënyrë verbale, nivelin e transparencës ndaj klientit dhe kufizimin e mundësisë efektive të zgjedhjes së konsumatorit, krijojnë indicie që disa banka mund të kenë shfrytëzuar pozitën e tyre për të kushtëzuar konsumatorët dhe për të kufizuar konkurrencën efektive në tregun e sigurimit të jetës, nëpërmjet praktikave të lidhura, mungesës së transparencës dhe vendosjes së kushteve të padrejta kontraktuale.
Madje, nga hetimi ka rezultuar që banka të veçanta kanë lidhur marrëveshje ekskluzive me një kompani të sigurimit të jetës për produkte të veçanta të kredisë.
Gjithashtu, sipas Autoriteti të Konkurrencës, niveli i lartë i komisioneve të ndërmjetësimit të aplikuar në këtë treg, në disa raste ngre dyshime mbi shfrytëzimin e pozitës dominuese në dëm të konsumatorit./Monitor.al/kb
