Sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), portofoli i obligacioneve me ofertë private, i llogaritur si vlera e emetuar dhe ende e pashlyer, arriti në 39.1 miliardë lekë ose gati 404 milionë euro. Vetëm për vitin e kaluar, vlera e portofolit të obligacioneve është rritur me 10.7 miliardë lekë ose 38%.
Ligjërisht, obligacionet me ofertë private mund të emetohen nga shoqëritë aksionare dhe të ofrohen për shitje te investitorë institucionalë dhe tek një numër prej deri 100 individësh. Në Shqipëri ato kanë nisur të përdoren në fund të vitit 2011 dhe emetuesit kryesorë kanë qenë bankat dhe institucionet financiare. Blerësit e këtyre instrumenteve kanë qenë zakonisht individët, por nuk kanë munguar edhe biznese apo investitorë institucionalë, si për shembull kompani të sigurimeve ose fonde investimi.
Duke shtuar edhe obligacionit e parë me ofertë publike, të emetuar në vitin 2023 nga institucioni financiar NOA, vlera totale e titujve të borxhit të korporatave ka arritur tashmë në rreth 39.6 miliardë lekë.
Sipas informacionit nga AMF, aktualisht në treg janë 12 emetues aktivë të obligacioneve me ofertë private, nga të cilët 7 banka, 3 institucione financiare jo-banka dhe 2 shoqëri tregtare. Përgjatë vitit 2025, Autoriteti ka regjistruar 10 akt-oferta të përgatitura nga 4 banka emetuese të cilat kanë vijuar të jenë emetuesit më të shpeshtë për qëllim të kapitalit rregullator.
Bankat i kanë përdorur këto instrumente sidomos në funksion të nevojës për të rritur kapitalin rregullator. Rregullorja “Për mjaftueshmërinë e kapitalit” i njeh instrumentet e borxhit të varur si pjesë të kapitalit rregullator të bankave, deri në një të tretën e vlerës totale të kapitalit rregullator.
Ky përdorim ka shënuar rritje veçanërisht pas vitit 2019, kur nisi aplikimi i shtesave makroprudenciale të kapitalit. Ndërkohë, pesë bankat më të mëdha janë gjithashtu subjekt i përmbushjes së rregullores për kërkesat minimale për instrumente të kapitalit rregullator dhe detyrime të pranuara (MREL). Kjo rregullore ishte pjesë e kuadrit ligjor të ndërhyrjes së jashtëzakonshme dhe kërkon që bankat të zotërojnë instrumente të kapitalit rregullator apo detyrime të pranuara që të mundësojnë përthithjen e humbjeve dhe rivendosjen e normës së mjaftueshmërisë së kapitalit.
Dy rregullimet e mësipërme nxitën më shumë përdorimin e instrumentit të borxhit të varur nga bankat, si alternativë ndaj injektimeve të reja të kapitalit.
Përdorimi i borxhit të varur është gjithashtu një mekanizëm që krijon hapësira për shpërndarjen e dividendëve për aksionarët, pikërisht sepse një pjesë e kërkesës rregullatore për kapital mbulohet nëpërmjet këtij borxhi.
Në mënyrë më sporadike, edhe kompani jashtë sektorit financiar e kanë përdorur emetimin e obligacioneve si një formë alternative të huamarrjes./Monitor.al/kb
