Kryeministri ynë i ri do të përballet me kriza të shumta sapo të hyjë në Numrin 10. Suksesi ose dështimi i tij do të varet nga vendimet që do të marrë gjatë 100 ditëve të para.
Nga Polly Toynbee
Ditën kur kryeministri i ri do të hyjë në Numrin 10 të Downing Street, pragun e derës do ta gjejë të mbuluar me letra, memorandume dhe mesazhe që luten, këshillojnë, paralajmërojnë dhe sugjerojnë. Pa dyshim, mes tyre do të ketë shumë këshilla të vlefshme, por edhe ide jo të mira. Të gjitha do të kenë një emërues të përbashkët: si të sigurohen ose të shpenzohen paratë, vendime që do të përcaktojnë simbolikisht 100 ditët e para të qeverisjes së tij.
Rastësisht, dita e parë e mandatit të tij, 20 korriku, përkon me javën e parë të pushimeve verore të shkollave në Angli dhe Uells. Ndërsa ai hyn në Downing Street, miliona fëmijë do të dalin nga portat e shkollës duke “hyrë në asgjë”, siç u shpreh një fëmijë për organizatën Children’s Society. Të vetmuar, të izoluar, duke u kujdesur për motrat e vëllezërit më të vegjël, shumë prej tyre të uritur dhe disa në rrezik, ata do të përballen me gjashtë javë boshllëku të ngjashëm me periudhën e pandemisë Covid-19, vetëm në shtëpi ndërsa prindërit punojnë, larg pamjeve idilike të reklamave të pushimeve.
Një raport i Children’s Society mbi kostot e fshehura që pushimet shkollore u sjellin familjeve është vetëm një nga thirrjet që e presin kryeministrin e ri, si kujtesë e hershme e krizës gjithnjë e më të thellë të varfërisë së fëmijëve që ai do të duhet të përballojë. Çdo ditë do ta vërë përballë sfidave financiare, ku nevoja për para do të jetë e madhe, por po aq e rëndësishme do të jetë edhe rikthimi i besimit të publikut se paratë nuk ndikojnë në vendimmarrjen politike.
Në skajin më të shëmtuar të kësaj tabloje janë zbulimet e reja që lidhen me Nigel Farage, një kujtesë për Burnham se ai ka një mundësi të hershme për t’i dhënë fund degradimit që sjellin shumat marramendëse të parave në politikë. Çdo skandal që përfshin Westminster-in bëhet përgjegjësi e tij, pasi ai ka fuqinë të pastrojë sistemin nga donacionet gjigante. Shumica e deputetëve janë të ndershëm, por fakti që Farage ka marrë edhe më shumë para – kësaj here nga një person i dënuar për mashtrim dhe spekulime me kriptomonedha, pa i deklaruar ato – vetëm sa e përforcon perceptimin publik se Westminster është sinonim i korrupsionit. Ky është momenti që Burnham të vendosë kufij të rreptë për donacionet politike, duke përcaktuar që në fillim marrëdhënien e tij me paranë.
Projektligji për përfaqësimin e popullit do të rikthehet së shpejti në Parlament dhe ka nevojë për masa më të forta. Ndër reformat pozitive që përmban është edhe kufizimi i donacioneve të huaja në 100 mijë paund në vit, pa i ndaluar ato plotësisht. “Po godasim ata që përpiqen të blejnë dhe të shesin demokracinë tonë”, deklaron sekretari kryesor i Thesarit, Darren Jones, megjithëse ky pretendim është i ekzagjeruar. Deputetja Stella Creasy propozon një ndryshim më radikal, duke vendosur kufirin prej 100 mijë paundësh për të gjitha donacionet politike. Kjo do t’i jepte fund praktikës ku një grup shumë i vogël superdonatorësh financon partitë me miliona paund. Në zgjedhjet e fundit u shpenzuan 94.5 milionë paund, ndërsa Transparency International zbuloi se 66% e donacioneve private në vitin 2023 erdhën nga vetëm 19 individë. Burnham ka mundësinë ta largojë këtë ndikim financiar nga politika. Vende të tjera e kanë bërë tashmë: Franca ndalon donacionet nga kompanitë dhe sindikatat, ndërsa kufizon donacionet individuale në 7.500 euro.
Në Britani, titujt fisnikërorë praktikisht mund të blihen: një donacion prej rreth 3 milionë paundësh pothuajse garanton një vend në Dhomën e Lordëve. Pak besojnë se donatorët nuk presin diçka në këmbim. Megjithatë, rrallëherë ndikimi është shfaqur aq hapur sa në rastin e partisë Reform. Një miliarder tajlandez i kriptomonedhave financon partinë dhe i dhuron Nigel Farage 5 milionë paund, ndërsa Reform premton një ligj për “asetet kripto dhe financat digjitale”, që do të ulte taksën mbi fitimet kapitale nga kriptomonedhat në 10%, do të krijonte një fond shtetëror rezervë në bitcoin dhe do të lejonte pagesën e taksave me kriptomonedha.
Për të dëshmuar se vendosja e kufijve nuk favorizon asnjë parti, edhe Laburistët do të duhej të hiqnin dorë nga financimi i sindikatave. Rrallëherë sindikatat kanë ushtruar presion kaq të hapur sa tani. Donatori më i madh i partisë, sindikata Unite, ka vendosur të ulë me 40% financimin kombëtar për ta detyruar Partinë Laburiste të ndërhyjë në grevën e punonjësve të pastrimit në Birmingham. Udhëheqësja e saj, Sharon Graham, kishte kërcënuar edhe para zgjedhjeve të vitit 2024 se do të tërhiqte fondet e fushatës nëse Laburistët do të zbusnin reformat për të drejtat e punëtorëve. Nuk ka asgjë të paligjshme që donatorët të ushtrojnë presion për të ndikuar politikën, por kjo mbetet një praktikë e papranueshme. Burnham mund të ndërtojë reputacionin e tij duke i dhënë fund kësaj kulture.
Edhe votuesit e kuptojnë këtë. Sipas Fairness Foundation, 63% e qytetarëve besojnë se supertë pasurit kanë ndikim të tepruar në politikë. Për të mbrojtur pabarazinë ekstreme, ata ose financojnë partitë politike, ose përdorin mediat që zotërojnë për të shtrembëruar debatin mbi pasurinë dhe taksat, ndërsa etiketojnë të varfrit si dembelë. Mjafton të shihet sesi pronarët miliarderë të mediave ushtrojnë presion mbi qeveritë për të mbrojtur pasurinë e tyre. Ata kundërshtojnë edhe taksa modeste mbi pasurinë duke bindur gabimisht qytetarët se këto masa do t’i prekin edhe ata. Një shembull është titulli i Mail on Sunday: “Burnham po planifikon një sulm me taksa ndaj shtëpive të klasës së mesme”. Në realitet, taksimi i banesave me vlerë mbi 1.5 milion paund prek vetëm rreth 150 mijë vila luksoze. Sipas Institutit për Studime Fiskale (IFS), 500 mijë njerëz bëjnë pjesë në 1% të fituesve më të paguar. Ndërsa “klasa e mesme” e vërtetë gjendet pranë pagës mesatare prej 39.039 paundësh në vit, aty ku gjysma e popullsisë fiton më shumë dhe gjysma më pak.
Më 20 korrik, ndërsa Burnham do të përballet me të gjitha dilemat e zakonshme politike që lidhen me paranë, 1.3 milionë fëmijë në Angli do të mbeten pa vakte falas në shkollë, sepse nuk plotësojnë kriteret për programin qeveritar të aktiviteteve dhe ushqimit gjatë pushimeve. Programi u ofrohet vetëm familjeve me të ardhura nën 7.400 paund në vit. Për shkak të ndryshimeve mes pushteteve vendore, vetëm disa bashki ofrojnë kupona ushqimi për gjashtë javët kur shkollat janë të mbyllura. Që nga ajo ditë, të gjitha këto sfida për sigurimin dhe shpenzimin e parave do të jenë përgjegjësi e tij, por do t’i kushtonte shumë pak t’u jepte fund abuzimeve me paranë që shtrembërojnë vendimmarrjen qeveritare.
*Polly Toynbee është kolumniste e gazetës The Guardian/ Përgatiti për botim: L.Veizi
