Komisionerja e Bashkimit Evropian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Marta Kos ka reaguar pas vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-drejtuesve të tjerë të UÇK-së, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Gjykata në Hagë i shpalli të katër të akuzuarit fajtorë për disa krime lufte të kryera gjatë konfliktit të viteve 1998-1999.
Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burg, Veseli me 18 vjet, ndërsa Selimi me 13 vjet burgim.
Pas vendimit, Marta Kos deklaroi se Dhomat e Specializuara të Kosovës janë një institucion gjyqësor i paanshëm dhe i pavarur dhe se vendimet e tij duhet të respektohen.
“Të dënuarit kanë të drejtë të apelojnë”, theksoi ajo, duke nënvizuar se procesi gjyqësor nuk përfundon domosdoshmërisht me vendimin e shkallës së parë.
Kos tha gjithashtu se çështja ka të bëjë me përgjegjësinë individuale dhe drejtësinë për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë.
“I bëj thirrje aktorëve në rajon të ndihmojnë në shërimin e plagëve të së kaluarës. Vetëm përmes pajtimit vendet e rajonit mund t’i kapërcejnë ndarjet dhe të ecin përpara drejt një të ardhmeje të përbashkët në BE”, u shpreh ajo.
Deklarata e komisioneres evropiane vjen në një ditë të rëndësishme për Kosovën, pasi vendimi i Hagës ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së ka shkaktuar reagime të forta në vend.
Vendimi është i shkallës së parë dhe palët kanë të drejtë të kërkojnë shqyrtimin e tij në apel.
Gjykata ka theksuar se procesi lidhet me përgjegjësinë penale individuale të të akuzuarve dhe nuk është një gjykim mbi legjitimitetin e luftës së UÇK-së apo të pavarësisë së Kosovës.
Në këtë kuadër, Kos e lidhi respektimin e vendimeve gjyqësore me nevojën për pajtim dhe kapërcim të ndarjeve të së kaluarës, duke e vendosur këtë proces në kontekstin e rrugëtimit të vendeve të rajonit drejt Bashkimit Evropian./mxh
