Forcat ajrore dhe hapësinore të Spanjës vijuan edhe të premten luftën me flakët e një prej zjarreve më vdekjeprurëse të viteve të fundit në rajonin e Almerias.
Pamjet ajrore tregojnë avionë të mëdhenj zjarrfikës me ngjyrë të verdhë dhe të kuqe duke hedhur ujë vetëm pak metra mbi vatrat aktive të zjarrit, ndërsa ekipet në terren përpiqen të frenojnë përhapjen e flakëve.
Mbi 20 mjete ajrore, përfshirë helikopterë dhe avionë të rëndë transportues uji, janë angazhuar në operacionin për shuarjen e zjarrit që ka përfshirë një sipërfaqe prej më shumë se 3 mijë hektarësh.
Të paktën 12 persona kanë humbur jetën, ndërsa 23 të tjerë rezultojnë ende të zhdukur. Sipas autoriteteve në Andaluzia, shumë prej viktimave dyshohet se ishin shtetas të huaj, të cilët nuk respektuan udhëzimet për të qëndruar në ambiente të sigurta dhe tentuan të largoheshin me makina ndërsa zjarri përhapej me shpejtësi pranë qytetit Los Gallardos.
Katër persona, që dyshohet se ishin britanikë për shkak të pozicionit të timonit në automjet, u gjetën të vdekur brenda një makine. Tetë viktima të tjera u zbuluan pasi kishin braktisur automjetet dhe kishin tentuar të largoheshin në këmbë përmes një rruge që nuk ishte pjesë e planit të evakuimit.
Autoritetet thanë se identifikimi i disa prej trupave do të kryhet përmes analizave të ADN-së.
Kreu i rajonit të Andaluzisë, Juan Manuel Moreno, e cilësoi zjarrin si një nga më të shpejtët dhe më kompleksët e dekadave të fundit, duke thënë se flakët u përhapën “si baruti”.
Moti pritet ta vështirësojë më tej situatën, pasi erërat më të forta të parashikuara për ditën e premte mund të pengojnë përpjekjet e zjarrfikësve për të vënë nën kontroll katastrofën./mxh
