Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Zohran Mamdani, ka reaguar ashpër ndaj operacionit të SHBA-së në Karakas, ku u arrestua presidenti venezuelian Nicolas Maduro dhe bashkëshortja e tij, të cilët pritet të transferohen në Nju Jork për t’u përballur me akuza penale.
Në një reagim publik, Mamdani e cilësoi operacionin si një shkelje të rëndë të ligjit ndërkombëtar dhe federal. “Një sulm i njëanshëm ndaj një kombi sovran është një akt lufte,” shkroi ai, duke theksuar se veprime të tilla përbëjnë precedent të rrezikshëm.
Në deklaratën e tij të plotë, kryebashkiaku u shpreh se ishte informuar për arrestimin dhe ndalimin e planifikuar të Maduros në paraburgim federal në Nju Jork, ndërsa paralajmëroi se ndjekja e hapur e ndryshimit të regjimit ka pasoja jo vetëm për vendet e huaja, por edhe për qytetarët amerikanë.
Sipas Mamdanit, situata prek drejtpërdrejt edhe dhjetëra mijëra venezuelianë që jetojnë në Nju Jork. Ai theksoi se siguria e komunitetit venezuelian dhe e të gjithë njujorkezëve mbetet prioritet për administratën e tij, e cila do të vijojë të monitorojë zhvillimet dhe të japë udhëzime sipas nevojës./K.M
