Kryeministri kanadez Mark Carney ka zbuluar se i ka kërkuar falje Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, pas transmetimit të një reklame televizive, e cila ndezi tensionet mes dy vendeve dhe ndërpreu negociatat tregtare.
Reklama, e financuar nga qeveria e Ontarios, përfshinte një fragment të redaktuar nga një fjalim radiofonik i ish-presidentit Ronald Reagan në vitin 1987, ku ai kritikonte tarifat tregtare, duke paralajmëruar se ato “dëmtojnë çdo punëtor dhe konsumator amerikan”.
Trump reagoi ashpër, duke e quajtur reklamën “të rreme” dhe urdhëroi pezullimin e bisedimeve tregtare, si dhe rritjen e tarifave ndaj mallrave kanadeze.
Carney: Nuk do ta kisha bërë, ndaj i kërkova falje
Duke folur me gazetarët gjatë një vizite në Korenë e Jugut, Carney konfirmoi se kishte folur privatisht me Trump gjatë një darke zyrtare dhe se i kishte kërkuar falje personalisht.
“Vendimi për ta transmetuar reklamën nuk ishte diçka që unë do ta kisha bërë. Për këtë arsye, i kërkova falje Presidentit Trump. Si kryeministër, mbaj përgjegjësinë për marrëdhënien me Shtetet e Bashkuara,” tha Carney.
Ai shtoi se reklama ishte diskutuar paraprakisht me kryeministrin e Ontarios, Doug Ford, qeveria e të cilit kishte financuar fushatën.
“Z. Ford mori vendimin e tij, është i pavarur dhe mund ta bëjë, por reklama nuk ishte e dobishme,” , u shpreh Carney.
Doug Ford, i cili më vonë ndërpreu fushatën, deklaroi në rrjetet sociale se reklama kishte si qëllim “të hapte një debat mbi ndikimin e tarifave te punëtorët amerikanë”.
Ndërkohë, kryeministri i Kolumbisë Britanike, David Eby, njoftoi se provinca e tij po planifikon të publikojë një reklamë të ngjashme kundër tarifave në SHBA. m.p.
