Nga Skënder Brataj
Nga studimi i patologjive të verës u konstatua se hipertensioni arterial zë 18% të vizitave të kryera deri në këtë moment.
Pse mund të rritet presioni arterial në verë?
1.Dehidratimi është një nga mekanizmat kryesorë. Me djersitjen humbasim ujë dhe kripëra. Kur bie volumi qarkullues, organizmi përpiqet ta ruajë perfuzionin duke aktivizuar sistemin simpatik dhe sistemin reninë–angiotensinë–aldosteron (RAAS). Rriten angiotensina II dhe aldosteroni, favorizohet vazokonstriksioni dhe mbajtja e natriumit dhe ujit. Pra, një mekanizëm që fillimisht kompenson dehidratimin mund të kontribuojë në rritjen e presionit.
2.Vapa ekstreme është stres për organizmin. Temperaturat shumë të larta nuk shkaktojnë vetëm vazodilatacion. Kur termorregullimi vihet nën presion, rriten frekuenca kardiake dhe aktiviteti simpatik. Zemra duhet të pompojë më shumë gjak drejt lëkurës për të shpërndarë nxehtësinë. Te një sistem kardiovaskular i brishtë, kjo mund të prodhojë luhatje të konsiderueshme të presionit.
3.Dehidratimi dhe veshkat janë të lidhura ngushtë. Ulja e perfuzionit renal aktivizon mekanizmat që synojnë ruajtjen e volumit. Te pacientët me hipertension, diabet, insuficiencë renale ose insuficiencë kardiake, aftësia për të përshtatur volumin dhe natriumin mund të jetë e dëmtuar. Kështu presioni mund të bëhet shumë më i paqëndrueshëm.
4.Ajri i kondicionuar krijon ndryshime të menjëhershme termike. Kalimi nga 38–40°C jashtë në një ambient shumë të ftohtë mund të shkaktojë vazokonstriksion periferik. Rezistenca vaskulare rritet dhe, te personat e predispozuar, mund të rritet edhe tensioni. Nuk është kondicioneri vetë “shkaktar i hipertensionit”, por ndryshimi i madh dhe i shpejtë i temperaturës mund të ndikojë në hemodinamikë.
5.Gjumi i keq gjatë netëve të nxehta ka rëndësi. Temperaturat e larta prishin cilësinë dhe kohëzgjatjen e gjumit. Privimi nga gjumi shoqërohet me rritje të aktivitetit simpatik dhe mund të përkeqësojë kontrollin e presionit arterial.
6.Ndryshojnë zakonet gjatë pushimeve. Në verë mund të shtohen ushqimet e kripura, ngrënia jashtë shtëpisë, pijet me kafeinë ose alkool dhe të prishet orari i barnave. Natriumi është veçanërisht i rëndësishëm te pacientët salt-sensitive: rrit mbajtjen e ujit dhe volumin intravaskular.
7.Harresa ose ndërprerja e terapisë është një shkak shumë praktik. Udhëtimet dhe ndryshimi i rutinës bëjnë që disa pacientë të harrojnë antihipertensivët. Ndërprerja e papritur e disa barnave, veçanërisht beta-bllokuesve ose klonidinës, mund të shkaktojë rritje të konsiderueshme të presionit.
8.Dhimbja, ankthi dhe stresi termik mund ta rrisin përkohësisht. Katekolaminat rrisin frekuencën kardiake, kontraktilitetin dhe vazokonstriksionin. Prandaj një matje e vetme e lartë gjatë vapës nuk do të thotë domosdoshmërisht se hipertensioni bazal është përkeqësuar.
Pra kemi një paradoks të dukshëm
Nxehtësia → vazodilatacion → tendencë për uljen e presionit.
Por nëse ekspozimi bëhet i fortë ose shoqërohet me dehidratim:
Vapë → djersitje → humbje volumi → aktivizim simpatik + RAAS → vazokonstriksion/retencion Na⁺ dhe ujë → presion arterial më i paqëndrueshëm dhe, te disa pacientë, më i lartë.
“Hipertensioni në verë – 10 gabimet që duhen shmangur”
1.Të mendosh se në verë tensioni vetëm bie. Mesatarisht mund të ulet nga vazodilatacioni, por dehidratimi, stresi termik, gjumi i keq, kripa dhe mosmarrja e rregullt e terapisë mund ta bëjnë presionin të luhatshëm ose ta rrisin.
2.Të ndërpresësh vetë barnat sepse tensioni doli një herë 105/65. Një matje e vetme nuk mjafton. Duhet parë tendenca dhe prania e simptomave.
3.Të përgjysmosh dozën “se është vapë”. Ndryshimi i terapisë duhet bërë sipas vlerave të përsëritura, simptomave, hidratimit dhe sëmundjeve shoqëruese, jo sipas temperaturës së ambientit.
4.Të mos pish ujë sepse je hipertensiv. Hipertensioni vetë nuk do të thotë kufizim të lëngjeve. Kufizimi mund të jetë i nevojshëm në disa pacientë me insuficiencë kardiake ose renale dhe përcaktohet individualisht.
5.Të harrosh se diuretikët + djersitja rrisin humbjen e lëngjeve. Në vapë duhet vëmendje për hipotension, dobësi, marramendje dhe çrregullime të Na⁺/K⁺, sidomos te të moshuarit.
6.Të neglizhosh diarrenë dhe të vjellat. Një pacient që merr diuretik dhe/ose ACE-I/ARB dhe humbet shumë lëngje mund të zhvillojë hipovolemi dhe dëmtim akut renal. Kjo kërkon vlerësim mjekësor të hidratimit, funksionit renal dhe terapisë.
7.Të shtosh kripën pa kriter sepse djersit shumë. Për shumicën e hipertensivëve nuk rekomandohet kompensimi i djersitjes duke shtuar në mënyrë të pakontrolluar kripën në dietë.
8.Të matësh tensionin menjëherë pas ecjes në vapë, kafesë apo duhanit dhe të alarmohesh. Matja duhet bërë pas disa minutash qetësi, ulur, me krahun të mbështetur dhe manshetën e përshtatshme.
9.Të ndërpresësh papritur beta-bllokuesin ose klonidinën. Mund të ndodhë efekt rebound me rritje të presionit dhe frekuencës kardiake.
10.Të trajtosh vetëm numrin dhe jo pacientin. 170/100 mmHg pa simptoma dhe 170/100 me dhimbje gjoksi, dispne apo shenja neurologjike janë dy situata krejt të ndryshme.
Trajtimi i hipertensionit në verë:
•Mat presionin korrekt dhe përsërite pas pushimit; mos u bazoni në një matje të vetme.
•Vazhdo terapinë antihipertensive; mos e ndërprit ose ndrysho automatikisht vetëm sepse është verë.
•Siguro hidratim oral të përshtatshëm, sidomos gjatë djersitjes së shtuar.
•Në hipotension, marramendje, gastroenterit ose dehidratim, rivlerëso diuretikët dhe ACE-I/ARB, si edhe kreatininën, Na⁺ dhe K⁺ kur është e mundur.
Nëse tensioni mbetet i lartë, kontrollo, nëse i merr ilaçet çdo ditë, nëse i merr në dozën dhe orarin e përcaktuar, kontrollo kripën, barnat e tjera, dhimbjen/stresin dhe shkaqet sekondare; mos syno ulje të menjëhershme agresive pa këshillim mjeksor.
