Nga Jordan Daci
Ka ngjarje që tronditin një shoqëri të tërë. Një aksident rrugor ku humb jetën një fëmijë, një i ri, një prind, apo disa persona njëherësh, nuk është thjesht një lajm kronike. Është një plagë njerëzore. Është dhimbje familjare, është zemërim publik, është ndjenjë pafuqie përballë një jete të ndërprerë padrejtësisht. Në raste të tilla, reagimi i fortë i opinionit publik është i kuptueshëm. Madje, është njerëzor.
Por pikërisht në këto momente, kur dhimbja është më e madhe dhe zemërimi më i fortë, e drejta penale duhet të ruajë qetësinë e saj. Ligji penal nuk mund të shkruhet, të interpretohet apo të zbatohet si reagim emocional i çastit. Ai nuk është mjet hakmarrjeje, as instrument për të qetësuar përkohësisht opinionin publik. Funksioni i tij është shumë më i rëndësishëm: të vendosë drejtësi, të mbrojë jetën dhe sigurinë publike, por njëkohësisht të ruajë parimet themelore mbi të cilat ndërtohet një shtet demokratik.
Për këtë arsye, çdo përpjekje për t’i trajtuar shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen si “vrasje me dashje”, vetëm për shkak të rëndësisë së pasojës, është juridikisht e gabuar dhe shoqërisht e rrezikshme. Një aksident rrugor fatal mund të jetë tragjik, i pafalshëm, jashtëzakonisht i rëndë dhe i dënueshëm ashpër. Por kjo nuk do të thotë se ai është automatikisht vrasje me dashje.
Dallimi nuk është formal. Është thelbësor.
Në të drejtën penale nuk mjafton të shohim vetëm pasojën. Duhet të kuptojmë edhe fajësinë. Një jetë e humbur është gjithmonë një tragjedi. Por nga pikëpamja juridike nuk është njësoj nëse vdekja vjen nga një veprim i qëllimshëm për të vrarë, nga një konflikt i dhunshëm, nga pakujdesia mjekësore, nga shkelja e rregullave të sigurisë në punë, apo nga një aksident rrugor i shkaktuar nga pakujdesia, sado e rëndë qoftë ajo.
Kodi Penal shqiptar e njeh këtë dallim. Neni 76 parashikon vrasjen me dashje, e cila dënohet me burgim nga dhjetë deri në njëzet vjet. Ndërsa neni 290 parashikon posaçërisht shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor dhe përfshin edhe rastet kur nga kjo shkelje shkaktohet vdekja e një personi ose vdekja apo plagosja e rëndë e disa personave. Për rastet më të rënda, dënimi sipas nenit 290 shkon nga pesë deri në njëzet vjet burgim.
Kjo tregon qartë se ligji penal shqiptar nuk e trajton lehtë humbjen e jetës në aksidentet rrugore. Përkundrazi, ai parashikon një dënim shumë të rëndë, por e vendos këtë përgjegjësi aty ku duhet: jo te vrasja me dashje, por te vdekja e ardhur si pasojë e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.
Vrasja me dashje kërkon dashje për vdekjen, jo vetëm shkelje të rregullave
Thelbi i vrasjes me dashje është që autori ta ketë dashur vdekjen e viktimës, ose së paku ta ketë parashikuar atë dhe ta ketë pranuar si pasojë të veprimit të tij. Pra, duhet të ekzistojë një lidhje e brendshme psikike midis autorit dhe pasojës: autori vepron duke synuar, dëshiruar ose pranuar humbjen e jetës së tjetrit.
Në aksidentet rrugore kjo lidhje, si rregull, mungon.
Drejtuesi i mjetit që ecën me shpejtësi tej normave, që kalon semaforin, që kryen parakalim të rrezikshëm, që drejton mjetin në gjendje të dehur ose nën ndikimin e substancave, mund të jetë jashtëzakonisht i papërgjegjshëm. Sjellja e tij mund të jetë kriminale, e rëndë dhe e dënueshme. Por kjo nuk do të thotë automatikisht se ai ka dashur të vrasë.
Këtu duhet bërë dallimi i domosdoshëm midis dashjes për të kryer një veprim të paligjshëm dhe dashjes për të shkaktuar vdekjen. Dikush mund të ketë dashje të shkelë rregullat e qarkullimit, por pasoja fatale mund të vijë nga pakujdesia. Ky dallim është themelor. Nëse e zhdukim, atëherë çdo sjellje e rrezikshme do të kthehej artificialisht në krim të qëllimshëm kundër jetës.
Në këtë mënyrë, pasoja do të zëvendësonte fajësinë. Dhe kur pasoja zëvendëson fajësinë, e drejta penale humbet natyrën e saj demokratike dhe kthehet në përgjegjësi objektive: dënohesh jo për atë që ke dashur, parashikuar ose pranuar realisht, por vetëm për rezultatin tragjik që ka ndodhur.
Dija për rrezikun nuk është gjithmonë pranim i vdekjes
Një nga argumentet që përdoret shpesh është ky: drejtuesi e dinte se po ecte shpejt; e dinte se ishte i dehur; e dinte se mund të shkaktonte aksident; prandaj duhet të trajtohet si vrasës me dashje.
Ky arsyetim është emocionalisht i kuptueshëm, por juridikisht i pamjaftueshëm.
Të dish se një sjellje është e rrezikshme nuk do të thotë domosdoshmërisht të pranosh vdekjen si rezultat. Në të drejtën penale, veçanërisht kur flitet për dallimin midis pakujdesisë së vetëdijshme dhe dashjes eventuale, ky është një kufi shumë i rëndësishëm. Pakujdesia e vetëdijshme nënkupton se autori e parashikon mundësinë e pasojës, por beson gabimisht, në mënyrë të papërgjegjshme, madje arrogante se ajo nuk do të ndodhë. Ndërsa dashja kërkon diçka më shumë: që autori, edhe pse nuk e synon drejtpërdrejt pasojën, ta pranojë realisht atë, pra të veprojë me mendësinë “le të ndodhë”.
Në shumicën dërrmuese të aksidenteve rrugore, autori nuk vepron me këtë qëndrim psikik ndaj vdekjes. Ai mund të jetë i pakujdesshëm rëndë, i papërgjegjshëm, i rrezikshëm për shoqërinë, por zakonisht vepron me besimin e gabuar se do ta kontrollojë situatën, se nuk do të ndodhë gjë, se do ta shmangë pasojën. Kjo nuk e përjashton përgjegjësinë penale. Përkundrazi, e justifikon dënimin e rëndë, por nuk e kthen automatikisht sjelljen në vrasje me dashje.
Neni 290 nuk është dispozitë e butë, ai përfshin vdekjen dhe lejon dënim deri në njëzet vjet
Duhet theksuar qartë: neni 290 i Kodit Penal nuk është një rrugë shpëtimi për autorët e aksidenteve fatale. Nuk është dispozitë “e lehtë”. Nuk është boshllëk ligjor. Për rastet më të rënda, kur nga shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor shkaktohet vdekja ose plagosja e rëndë e disa personave, ligji parashikon dënim nga pesë deri në njëzet vjet burgim.
Pra, maksimumi i dënimit sipas nenit 290, në rastet më të rënda, është i njëjtë me maksimumin e dënimit për vrasjen me dashje sipas nenit 76. Kjo do të thotë se gjykata ka hapësirë të plotë për të vendosur dënim shumë të rëndë kur rrethanat e çështjes e kërkojnë.
Në këtë vlerësim mund dhe duhet të merren parasysh të gjitha rrethanat konkrete: shpejtësia ekstreme, drejtimi në gjendje të dehur, drejtimi pa leje, shkeljet e përsëritura, kalimi në semafor të kuq, rrezikimi i këmbësorëve, largimi nga vendi i ngjarjes, mosdhënia e ndihmës, numri i viktimave, sjellja pas ngjarjes dhe rrezikshmëria e përgjithshme e autorit.
Në këtë kuptim, problemi nuk është se ligji nuk lejon dënim të rëndë. Problemi, nëse ekziston, qëndron te zbatimi i ligjit, te cilësia e hetimit, te prova, te arsyetimi gjyqësor dhe te kultura e caktimit të dënimit, por këto probleme nuk zgjidhen duke deformuar figurën e vrasjes me dashje. Zgjidhen duke zbatuar seriozisht nenin 290.
Dënimi penal nuk është matematikë e pasojave
Në një shtet demokratik, dënimi nuk mund të caktohet si mbledhje aritmetike e dhimbjes. Nuk mund të thuhet: “ka një viktimë, prandaj ka një vrasje”; “ka dy viktima, prandaj ka dy vrasje me dashje”; “ka shumë dhimbje, prandaj duhet kualifikimi më i rëndë i mundshëm”.
Drejtësia penale nuk funksionon kështu. Ajo kërkon individualizim.
Neni 47 i Kodit Penal e detyron gjykatën të marrë parasysh rrezikshmërinë e veprës, rrezikshmërinë e autorit, shkallën e fajit, rrethanat rënduese dhe lehtësuese. Pra, dënimi nuk është rezultat mekanik. Ai është akt vlerësimi juridik, moral dhe shoqëror, i cili duhet të mbështetet në fajësinë konkrete.
Kjo është arsyeja pse neni 290 është më i përshtatshëm për këto raste sesa një kualifikim artificial si vrasje me dashje. Ai i jep gjykatës mundësi të vendosë dënim të rëndë, por njëkohësisht e detyron ta lidhë dënimin me formën reale të fajësisë. Kjo ruan drejtësinë si për viktimën, ashtu edhe për të pandehurin, sepse një sistem penal i drejtë nuk mund të mbrojë njërën palë duke shkelur parimet themelore ndaj tjetrës.
Humanizmi nuk është dobësi ndaj krimit
Kur flitet për humanizmin në të drejtën penale, shpesh keqkuptohet sikur bëhet fjalë për mëshirë ndaj autorit ose për zbutje të përgjegjësisë. Nuk është kështu. Humanizmi nuk do të thotë të harrohet viktima. Nuk do të thotë të relativizohet dhimbja e familjes. Nuk do të thotë të pranohet pandëshkueshmëria.
Humanizmi do të thotë që shteti, edhe kur dënon, të mbetet shtet i së drejtës. Të mos veprojë me instinkt hakmarrjeje. Të mos lejojë që emocioni publik të zëvendësojë kategoritë juridike. Të mos dënojë më shumë se sa lejon fajësia konkrete. Të ruajë idenë se dënimi penal ka qëllim jo vetëm ndëshkues, por edhe parandalues, edukues dhe, aty ku është e mundur, rishoqërizues.
Një dënim i rëndë mund të jetë plotësisht i drejtë. Por ai duhet të jetë i drejtë për arsyet e duhura. Jo sepse opinioni publik kërkon një emër më të rëndë juridik, por sepse rrethanat konkrete, shkalla e fajit dhe rrezikshmëria e autorit e justifikojnë atë.
Vrasja me dashje nuk mund të krijohet nga mungesa e durimit publik
Një tjetër gabim teorik është përpjekja për të thënë se, meqenëse pasoja është vdekje, dhe meqenëse autori ka vepruar në mënyrë të rrezikshme, atëherë duhet të supozohet dashja, por dashja nuk supozohet. Ajo duhet të provohet.
Vrasja me dashje kërkon një orientim të vullnetit drejt vdekjes së tjetrit. Edhe kur motivi nuk është element i domosdoshëm i figurës bazë të veprës, vrasja me dashje nuk është një vdekje e ardhur rastësisht nga një sjellje e pakujdesshme. Ajo presupozon një qëndrim psikik ndaj pasojës. Autori ose e do vdekjen, ose e pranon atë në mënyrë të ndërgjegjshme.
Në aksidentet rrugore, zakonisht mungon pikërisht ky element. Nuk ka viktimë të synuar. Nuk ka qëllim për të marrë jetë. Nuk ka, në kuptimin penal, pranim të vdekjes si rezultat. Ka, në rastet më të rënda, pakujdesi ekstreme, arrogancë, shpërfillje të rregullave, papërgjegjshmëri kriminale. Por këto janë arsye për dënim të rëndë sipas nenit 290, jo për të shpikur dashje aty ku ajo nuk provohet.
Përndryshe, do të krijonim një precedent të rrezikshëm: sa më e rëndë pasoja, aq më e rëndë supozohet forma e fajësisë. Kjo është e kundërta e së drejtës penale moderne.
Populizmi penal nuk sjell më shumë drejtësi
Ligji penal nuk duhet të ndryshohet sa herë që ndodh një tragjedi. Një ngjarje e rëndë mund të shërbejë si alarm për shtetin, por nuk duhet të shërbejë si bazë e menjëhershme për ndryshim emocional të kategorive penale. Përpara çdo ndryshimi duhet të pyetet: a kemi një fenomen të qëndrueshëm? A ka dështuar realisht ligji ekzistues? A është problemi te norma apo te zbatimi i saj? A ka mjete të tjera më efektive për parandalim? A do të sjellë ndryshimi më shumë siguri apo vetëm më shumë simbolikë ndëshkuese?
Populizmi penal zakonisht e shmang këtë analizë. Ai kërkon përgjigje të shpejtë, të fortë dhe të dukshme, por jo domosdoshmërisht të drejtë. Ai krijon përshtypjen se duke e quajtur një vepër me një emër më të rëndë, shoqëria bëhet më e sigurt. Në fakt, siguria rrugore nuk vjen nga retorika penale, por nga parandalimi real.
Ajo kërkon polici rrugore funksionale, kontrolle të vazhdueshme, matje reale të shpejtësisë, testim për alkool dhe substanca, kamera, sinjalistikë, edukim, ndëshkim administrativ të sigurt dhe të menjëhershëm, heqje efektive të lejeve të drejtimit për shkelësit e përsëritur, hetim profesional dhe gjykim të shpejtë.
Nëse këto nuk funksionojnë, atëherë kualifikimi i aksidentit fatal si vrasje me dashje nuk e zgjidh problemin. Ai thjesht e mbulon dështimin institucional me fjalë më të rënda penale.
Drejtësia për viktimat kërkon ligj të drejtë, jo ligj të zemëruar
Nuk ka asnjë dyshim se familjet e viktimave meritojnë drejtësi. Meritojnë hetim serioz. Meritojnë proces të shpejtë. Meritojnë që autori të përgjigjet penalisht me gjithë ashpërsinë që lejon ligji. Meritojnë që gjykata të mos minimizojë dhimbjen e tyre dhe të mos japë dënime formale kur rrethanat kërkojnë dënim të rëndë.
Nga ana tjetër, drejtësia për viktimat nuk kërkon prishjen e kufijve themelorë të së drejtës penale. Nuk kërkon që pakujdesia të quhet dashje. Nuk kërkon që aksidenti, sado tragjik, të trajtohet njësoj si vrasja e qëllimshme. Nuk kërkon që ligji të zemërohet. Kërkon që ligji të funksionojë.
Një shtet serioz nuk reagon ndaj tragjedisë duke ndryshuar emrat e veprave penale apo ashpërsuar dënimet. Ai reagon duke parandaluar tragjeditë e ardhshme, duke zbatuar ligjin ekzistues me profesionalizëm, duke dënuar drejt dhe duke ruajtur parimet që e ndajnë drejtësinë nga hakmarrja.
Përfundim
Shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen janë ngjarje tepër të rënda dhe duhet të ndëshkohen seriozisht. Por ato nuk duhet të kualifikohen automatikisht si vrasje me dashje. Një gjë e tillë do të ishte dogmatikisht e gabuar, sepse do të barazonte pakujdesinë, sado të rëndë, me dashjen për të vrarë. Do të ishte kushtetutshmërisht problematike, sepse do të cenonte parimin e proporcionalitetit dhe fajësisë personale. Do të ishte penalisht e dëmshme, sepse do ta kthente dënimin nga instrument drejtësie në instrument hakmarrjeje simbolike. Dhe do të ishte politikisht e rrezikshme, sepse do të përbënte shembull tipik të populizmit penal.
Neni 290 i Kodit Penal e përfshin vdekjen si pasojë dhe parashikon dënime shumë të rënda, deri në njëzet vjet burgim. Ai i jep gjykatës mundësinë të vendosë dënim të ashpër, por të drejtë, të lidhur me fajin real të autorit dhe me rrethanat konkrete të çështjes. Kjo është rruga e drejtë.
Drejtësia nuk bëhet më e fortë duke u bërë më emocionale. Ajo bëhet më e fortë kur mbetet e saktë, e matur dhe njerëzore. Shoqëria ka nevojë për më shumë siguri rrugore, për më shumë përgjegjësi institucionale dhe për dënime të drejta. Megjithate, në asnjë rast ajo nuk ka nevojë që e drejta penale të deformojë konceptin e vrasjes me dashje për të dëshmuar se e merr seriozisht humbjen e jetës. Humbja e jetës merret seriozisht pikërisht kur ligji zbatohet drejt, jo kur ai shtrembërohet nën peshën e zemërimit publik.
