Kupa e Botës FIFA 2026 do të zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik dhe për herë të parë do të organizohet në tre vende: SHBA, Kanada dhe Meksikë. Turneu do të përfshijë 48 ekipe dhe pritet të tërheqë rreth 6.5 milionë tifozë nga e gjithë bota, duke e bërë një nga eventet më të mëdha sportive në histori.
Qytetet pritëse dhe eksperienca turistike
Ndeshjet do të zhvillohen në 16 qytete, përfshirë metropole si Nju Jorku, Los Anxhelosi, Miami dhe Toronto. Organizatorët dhe guidat turistike sugjerojnë që tifozët të shfrytëzojnë udhëtimin edhe për të eksploruar qytetet pritëse.
Në Toronto, vizitorët mund të shijojnë lagje si Kensington Market apo Harbourfront, si dhe evente kulturore si festivale arti dhe muzike. Ndërkohë, Vankuveri ofron natyrë spektakolare dhe përvoja kulturore indigjene. Në Meksiko Siti, turistët mund të kombinojnë futbollin me gastronominë dhe artin në zona të njohura si Roma Norte apo Condesa.
Siguria mbetet në fokus
Ndërsa entuziazmi është i madh, siguria pritet të jetë një nga çështjet kryesore. Zyrtarë evropianë kanë kërkuar nga FIFA masa shtesë për mbrojtjen e tifozëve, duke përmendur tensionet gjeopolitike dhe incidente të fundit të dhunës, veçanërisht në disa rajone të Meksikës.
Edhe pse nuk ka sinjale që turneu do të jetë i pasigurt, pritet që kontrollet kufitare dhe masat e sigurisë të jenë më të rrepta se në edicionet e kaluara.
Një Kupë Bote e shtrenjtë
Kostoja e udhëtimit është një tjetër sfidë e madhe. Biletat e avionit për tifozët ndërkombëtarë mund të arrijnë rreth 1,000 dollarë, ndërsa çmimet e hoteleve janë rritur deri në 300% në qytetet pritëse.
Transporti lokal gjithashtu pritet të jetë i kushtueshëm, me parkime që mund të shkojnë deri në 75 dollarë për ndeshje dhe shërbime si Uber që mund të kushtojnë rreth 100 dollarë për një udhëtim.
Për më tepër, disa tifozë nga vende të caktuara mund të përballen me kërkesa për depozita sigurie deri në 15,000 dollarë për të marrë vizë për në SHBA. Ndërkohë, çmimet e biletave të ndeshjeve janë rritur ndjeshëm për shkak të kërkesës së lartë.
Një eksperiencë unike, por jo për të gjithë
Kupa e Botës 2026 premton të jetë një eksperiencë e paharrueshme, duke kombinuar sportin me kulturën dhe udhëtimin. Megjithatë, kostot e larta dhe sfidat logjistike mund ta bëjnë atë të papërballueshme për shumë tifozë, duke e kthyer këtë event në një luks për një pjesë të kufizuar të publikut./kb
