Last Updated on 11/03/2026 by Anisa
Nga Anisa Xhani (Daci)
Shqiptarët gjithmonë kanë pasur një histori të ndërlikuar me besimin: besimin tek njerëzit përreth, tek institucionet, tek puna dhe meritokracia. Sot, kjo sfidë duket edhe më e theksuar në të ashtuquajturin ‘fshat global’, ku çdokush pretendon se njeh ‘si në pëllmbë të dorës’ atë që ka përballë, nisur edhe vetëm nga profili i rrjeteve sociale.
Ky fenomen nuk është thjesht një ndjesi personale; është një dukuri sociale. Duket se si shoqëri çjerrim besimin dhe e thellojmë plagën aty ku e vërteta mund të jetë e dukshme.
”Mjaft se na shpifet!
Sot u zgjova në orën 6 të mëngjesit për disa kontrolle rutinë në baxho. Ndërkohë që shihja rreth 40 burra dhe gra nga Zadrima që sillnin qumësht me analiza totale: 0% ujë, yndyrë 4.5%, më erdhën në mend pyetjet ironike që shpesh më bëjnë:
“He more, prej kah e merr gjithë këtë qumësht?!”
Këto pyetje më duken si thika. Më lëndojnë edhe më shumë, sepse u mësojnë edhe fëmijëve këtë mosbesim.
Ngrihuni një ditë në orën 5 të mëngjesit bashkë me fëmijët tuaj dhe vizitoni një baxho ose një stallë. Mësoni si punohet përditë dhe sa respekt meritojnë ata njerëz. Dhe kur them baxho, kam parasysh të vogla, artizanale, jo industri të mëdha. Mos i fyeni duke u mohuar ekzistencën dhe punën, sikur gjithçka është inteligjencë artificiale dhe jo djersë njerëzore.”, shkruan sipërmarrësi i “Mrizi i Zanave”, Altin Prenga.
View this post on Instagram
Mosbesimi nuk është thjesht një çështje psikologjike; ai është rezultat i një kombinimi kulturor dhe social: globalizimit, hapjes së tregut, rënies së miteve dhe përqendrimit tek “shortcut-et” e suksesit. Rënia e miteve tradicionale, ato që na mësonin se puna dhe përkushtimi shpërblehen ka lënë një boshllëk në perceptimin tonë. Sot, shumë shqiptarë nuk besojnë se dikush mund të arrijë diçka të madhe vetëm me djersë. Suksesi shpesh shihet si rezultat i rrjeteve, pamjes, privilegjit ose fatit, dhe jo përkushtimit të përditshëm.
Jo gjithmonë kjo është pa të drejtë. Njerëzit janë të mërzitur me shkallën e korrupsionit, pasigurinë, padrejtësitë, llumin VIP, pabarazitë, luksin e shfrenuar të disa tipave, arrogancën dhe nivelin mediokër.
Ata që përfitojnë nga privilegjet shpesh nuk pranojnë se kanë avantazhe, dhe kjo i bën të mohojnë të vërtetën e punës dhe djersës që ka sjellë suksesin.
Shumë persona që kanë pasur sukses të lehtë ndihen të detyruar të tregojnë se kanë punuar për çdo gjë që kanë arritur, duke ekzagjeruar pengesat që kanë kapërcyer për të treguar meritën e tyre personale.
Ndërkohë, ata që kanë përfituar nga pamja ose rrjetet shpesh dalin “cullak” para së vërtetës.
Henry Ford dikur tha: “Jam gati të jap llogari për çdo ditë të jetës sime, por mos më pyet si e bëra milionin tim të parë.”
Kjo thënie reflekton kompleksitetin e suksesit dhe faktin që arritjet më të mëdha nuk mund të përshkruhen thjesht si një seri hapash që ndoqëm. Dhe kështu, çdo milion i fshehur bëhet jo vetëm arritje, por edhe arsye për të dyshuar se si funksionon suksesi në të vërtetë.
Ata që ‘ndriçojnë’ pa merita, nuk mund ta mohojmë se janë shembuj demoralizues, por nëse shoqëria shqiptare dëshiron të rikthejë besimin tek puna dhe djersa, duhet të fillojë të shohë dhe vlerësojë shembujt e thjeshtë, të përditshëm dhe autentikë. Nuk ka arritje të mëdha pa punë të përditshme. Mosbesimi ndaj kësaj pune është humbje e respektit dhe humbje e lidhjes së shoqërisë me realitetin.
