Last Updated on 29/09/2025 by adminfjala
Nga Shpëtim Luku
Sa herë që Shqipëria hyn në periudhë zgjedhore, bashkë me fushatën politike shpërthen edhe ambicia e figurave qesharake. Është sikur kutia e Pandorës hapet dhe prej saj dalin individë që e shohin veten në postet më të larta, pa pasur as kredencialet më minimale. Rasti i Kujtim Gjuzit është shembulli më i qartë.
Ai u bë deputet jo për meritë, jo sepse e kërkoi populli, por falë gafës së opozitës që dogji mandatet. Një rastësi fatlume për të, një lloj “bingoje” politike që e ngriti përkohësisht në karrigen e Kuvendit. Mirëpo, në vend që ta shihte si fat politik të papërsëritshëm, ai e keqkuptoi veten. Statusin e deputetit e mori si një të drejtë natyrore, madje edhe hyjnore, si një ofiq që i takon me çdo kusht.
Sot, ai del e shpall publikisht se është gati të kandidojë për Bashkinë e Tiranës, sikur kryeqyteti mezi pret të drejtohet prej tij. Fatkeqësisht nuk është i vetmi, pasi gjatë këtyre ditëve kemi parë edhe mjaft individë të tjerë që me gadishmërinë e tyre për të kandiduar prodhojnë një humor të fortë.
Në fakt, ky fenomen nuk është aspak rastësor. Përkundrazi, është pasojë e standardeve të ulëta që partitë politike kanë vendosur ndër vite, duke u ofruar qytetarëve kandidatura të dobëta, qoftë në zgjedhjet e përgjithshme, qoftë në ato vendore.
Mjafton të kujtojmë momentin kulmor kur opozita dorëzoi mandatet dhe Shqipëria pa se çfarë figurash qesharake fshiheshin në “kamionin e dytë” të listave. Ironia ishte se ata, që duhej të ishin më të padukshmit, papritur dolën në rreshtin e parë. Dhe kështu, çdo fushatë e re zgjedhore bëhet terreni ku ambicia e budallenjve shpërthen me zhurmë, duke treguar gjendjen e mjerë ku politika i ka katandisur standardet e saj.
