Last Updated on 29/04/2026 by Anisa
Ermal Mulosmani
Parlamenti i Kosovës u shpërnda, Qeveria e mandatuar për 4 vjet vetëm 2 muaj më parë, e humbi atë mandat. Tashmë në Kosovë do të ketë zgjedhje të reja të përgjithshme të parakohshme.
Rasti i Kosovës mund të jetë rasti i vetëm në botë, kur një Qeveri e një Partie që ka fituar mbi 51% të votave të qytetarëve, nuk arrin të qeverisë as 3 muaj.
Albin Kurti kishte fituar 57% të deputetëve shqiptarë të Parlamentit dhe dukej si Qeveria më e stabilizuar në historinë e pasluftës. Një krizë e zgjatur konstituive e vitit të kaluar, u duk sikur mori zgjidhje: Populli i dha Kurtit atë që pritej, shumicën absolute për të qeverisur pa asnjë problem.
Në këtë moment, çdo Kryeministër në botë duhet të ishte mirënjohës dhe kokëulur. Ajo çka i mbeste Kurtit ishte të qeveriste mirë dhe të zgjidhte krizat e mundshme.
Populli e bëri të vetën.
Por Kurti u llastua. Dua edhe Qeverinë, edhe institucionet qendrore, dua edhe Presidentitn. Se ashtu ka thënë Rusoi.
Por kishte një kleçkë në këtë rrugë.
Kushtetuta e Kosovës thotë ndryshe. Për presidentin duhet të jenë 80 deputetë në sallë.
Nga ana tjetër, Gjykata Kushtetuese është deklaruar që deputetët nuk mund të detyrohen të vijnë në seancë.
Pra, ekziston mundësia që ata ta sabotojnë zgjedhjen e njëanshme.
Kurti kishte pesë rrugëzgjidhje përpara:
1) Të ndryshojë Kushtetutën dhe ta zgjedhë ndryshe Presidentin
2) T’i joshë me koalicion ndonjërin opozitar për t’i marrë votat e duhura për një President të VV
3) Tia japë Presidentin Opozitës me kusht që të mos jetë politik
4) T’ia japë Presidentin Opozitës pa kushte
5) Të shkosh në zgjedhje të parakohshme për të kërkuar 70% të votës popullore.
Sigurisht e ëndërruara do të ishte rruga e parë. Ajo e zgjidhte një herë e mirë punën. Por ajo ishte më e koklavitur edhe se zgjedhja e Presidentit, duheshin edhe votat e minoriteteve (2/3 e tyre). Nuk ishte fare në diskutim.
Kurti u përpoq të joshte edhe Abdixhikun edhe Hamzën duke dhënë poste qeveritare dhe spikerin e Parlamentit. Ata nuk pranuan. (rruga 2)
Atëherë kaloi te rruga e tretë: President i Opozitës por me kushte të Kurtit: të jetë apolitik. Partitë opozitare nuk e pranuan.
Atëherë Kurti e çoi vendin në zgjedhje të parakohshme me devizën: “Populli më do por opozita jo”.
Në fakt, e vetmja rrugë që e zgjidhte nyjën ishte: Jepi grupit më të madh opozitar të drejtën të propozojë një kandidaturë politike për President dhe votoje atë. Pastaj qeveris për 4 vjet.
Vetëm ajo nuk i shkonte në mendje profetit. Më mirë krizë. Tash u mësuam, prej 15 muajsh jemi në krizë qeverisjeje.
