Last Updated on 28/05/2026 by Anisa
Pas mbledhjes së Qeverisë, ministrat kanë bërë publike VKM e miratuara ditën e sotme.
Albana Koçiu:
Dy vendimet më të fundit të KM sigurojnë që puna e institucioneve shqiptare është e konsoliduar. Qeveria miratoi sot udhërrëfyesin kombëtar për arritjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm deri në 2030. Përmban 66 kritere të matshme që do ta orientojnë punën e institucioneve në përputhje me agjendën 2030 të Shqipërisë, por edhe me objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm të OKB-së.
Po ashtu, partneriteti strategjik mes Shqipërisë dhe OKB-së për periudhën 2027-2031 është një dokument i rëndësishëm që bazohet në tre shtylla: zhvillimi i qëndrueshëm i kapitalit njerëzor, transformimi i qëndrueshëm ekonomik dhe rritja e gjelbër, dhe së treti, mirëqeverisja, drejtësia dhe të drejtat e njeriut.
Ervin Demo:
Do forcojmë identitetin lokal. Ky program, në këtë kuadër, do të fokusohet në ndërtimin e muzeve lokale. Përmirësimi i aksesit në zonat urbane është një tjetër prioritet. Po fokusohemi në ndërtimin e parkimeve për akses të qëndrueshëm në zonat urbane.
Objektivi i tretë është rigjenerimi i ish-fabrikave në asete për komunitetin. Në fokus janë edhe shërbimet parësore, si ambientet sportive. Do të rrisim standardet e infrastrukturës publike, duke krijuar potencial të ri zhvillimi për zona të caktuara.
Nxitja e inovacionit është një tjetër objektiv. Nxitja e startupeve për të rinjtë dhe përfshirja e tyre është e domosdoshme. Startupet duhet të hapen në të gjithë territorin. Duhet të përmirësojmë mjedisin urban duke menaxhuar mbetjet. Po punojmë me bashkitë për të plotësuar standardet europiane, duke filluar me riciklimin.
Po ashtu, fokusi është edhe te transporti urban publik, me autobusë elektrikë, si dhe nxitja e jetesës së shëndetshme përmes hapësirave rekreative dhe sportive. Një tjetër prioritet është forcimi i kapaciteteve të bashkive sa i përket mirëmbajtjes së aseteve që kanë në territor.
Gjithashtu, synohet parandalimi i rasteve të përmbytjeve dhe krijimi i një sistemi më të mirë vaditjeje. Po ashtu, është parashikuar zhvillimi i qyteteve inteligjente përmes konceptit “smart city”.
Kemi miratuar dy bashki sa i përket zonave prioritare: Bashkinë Gjirokastër dhe Bashkinë Fier. Paketa e Maleve është një mundësi për zhvillimin lokal dhe rural.
Ermal Nufi:
Kemi miratuar tre vendime: zgjatjen e misionit shqiptar në Letoni deri në vitin 2029. Ky vendim shërben në konsolidimin e të gjithë forcave tona të armatosura në NATO dhe Letoni.
Vendimi i dytë ka të bëjë me njësimin e gradave ushtarake.
I fundit lidhet me miratimin e VKM-së për projektet fituese nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile për mbrojtjen nga fatkeqësitë natyrore. Lista e projekteve fituese për 2026 është konsoliduar, priten të jenë fituese 44 projekte. 26 infrastrukturore, dhe 18 blerje për mjete nga bashkitë për fatkeqësitë natyrore. Të gjitha do zbatohen nga qeverisja vendore. Vlera totale e financimit do arrijnë 650 mln lekë./a.d
