Në një marrëdhënie, shpesh mendojmë se janë gjestet e mëdha ato që bëjnë diferencën. Por e vërteta është krejt tjetër, dashuria ndërtohet në detajet e vogla, në përditshmërinë që shpesh kalon pa u vënë re. Janë pikërisht ato veprime të thjeshta që mbajnë një lidhje të gjallë dhe të fortë.
Marrëdhëniet nuk janë të lehta. Ato kërkojnë përkushtim nga të dyja palët, komunikim të vazhdueshëm dhe një gatishmëri për të bërë kompromis. Sidomos pas periudhave të vështira, si stresi i përditshëm apo ndryshimet në stilin e jetës, është normale që lidhja të kalojë ulje-ngritje. Por rikthimi i afërsisë nuk kërkon gjithmonë gjëra të mëdha, përkundrazi.
Gjërat e vogla që bëjnë diferencën
Një filxhan kafe në mëngjes, një mëngjes i përgatitur pa ndonjë arsye të veçantë, apo një mesazh i thjeshtë gjatë ditës, janë këto gjeste që tregojnë kujdes dhe vëmendje. Në një marrëdhënie afatgjatë, këto detaje kanë më shumë peshë sesa çdo surprizë e madhe.
Fuqia e një “faleminderit”
Mirënjohja është një nga elementët më të nënvlerësuar. Të thuash “faleminderit” për gjëra të vogla, si pastrimi i enëve apo një gjest i kujdesshëm, i jep partnerit ndjesinë se vlerësohet. Dhe kjo ndjenjë është thelbësore për një lidhje të shëndetshme.
Hiqni telefonin
Koha cilësore nuk mund të ekzistojë nëse vëmendja është gjithmonë diku tjetër. Telefonat, rrjetet sociale dhe njoftimet mund të presin. Kur jeni bashkë, përpiquni të jeni realisht prezentë. Edhe konfliktet është më mirë të diskutohen drejtpërdrejt, jo përmes mesazheve që shpesh keqkuptohen.
Mos e nënvlerësoni kontaktin fizik
Një përqafim, një prekje e vogël, mbajtja e dorës, janë mënyra të thjeshta, por shumë të fuqishme për të ruajtur lidhjen emocionale. Me kalimin e kohës, këto gjeste priren të zbehen, por janë pikërisht ato që mbajnë afërsinë gjallë.
Mos harroni veten
Një marrëdhënie e shëndetshme fillon nga individë të plotësuar. Të gjesh kohë për veten, për interesat dhe mirëqenien tënde, të ndihmon të jesh më i/e qetë dhe më i/e pranishëm në raport me partnerin. Në fund të ditës, nuk mund të japësh më shumë sesa ndihesh vetë./mxh
