Last Updated on 19/02/2026 by EL
Individët e punësuar me të ardhura vjetore deri në 1.2 milionë lekë, si dhe ata mbi këtë prag, do të kenë të drejtë të përfitojnë zbritje tatimore për fëmijët në ngarkim, përmes plotësimit të Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave, DIVA 2025, e cila duhet dorëzuar deri më 31 mars.
Drejtoresha e Proceseve të Biznesit në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Rezana Çelmeta, sqaroi procedurën e aplikimit për rimbursim.
“Për të gjithë individët që po plotësojnë DIVA-n, si ata me të ardhura vjetore mbi 1.2 milionë lekë që kanë të drejtën e përfitimit të zbritjes për numrin e fëmijëve në ngarkim, ashtu edhe ata me të ardhura nën 1.2 milionë lekë, të cilët përveç zbritjes për fëmijët në ngarkim mund të përfitojnë edhe zbritje tatimore për shpenzimet arsimore,” u shpreh Çelmeta. Ajo sqaroi se për zbritjet tatimore lidhur me shpenzimet arsimore duhet të ngarkohen faturat përkatëse, të cilat duhet të jenë të fiskalizuara. Sipas saj, njihen edhe shpenzimet për kurse të ndryshme.
“Shpenzimet arsimore që kanë faturë të fiskalizuar përbëjnë dokumentin e vetëm ligjor për njohjen e tyre. Dokumente mbështetëse mund të jenë edhe kontratat nga institucionet përkatëse. Nuk kufizohemi vetëm te shërbimet shkollore, por përfshihen edhe ato parashkollore dhe kurse të ndryshme,” theksoi ajo. Deri më tani janë plotësuar rreth 30 mijë deklarata, ndërsa pritet që numri i tyre të arrijë në 200 mijë./et
