Last Updated on 07/10/2026 by Klara
Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur presidentin e ri të vendit Justina Shiroka-Pula me 81 vota duke i dhënë fund ngërçit politik dhe duke shmangur skenarin e shpërndarjes së Kuvendit dhe mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.
Votimi u zhvillua në ditën e fundit të afatit për zgjedhjen e kreut të shtetit, pas negociatave intensive mes partive parlamentare.
Me zgjedhjen e presidentit të ri, institucionet e Kosovës vijojnë funksionimin, ndërsa shmanget një tjetër proces zgjedhor i parakohshëm.
Dy kandidate u propozuan për postin e kreut të shtetit: Justina Shiroka-Pula dhe Eliza Hoxha.
Emrin e Justina Shiroka-Pulës e prezantoi shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci.
Nagavci tha se Shiroka-Pula ka lindur në vitin 1953 në Prishtinë dhe është ekonomiste, profesore universitare dhe akademike.
“Justina Shiroka-Pula ka lindur në vitin 1953 në Prishtinë, është ekonomiste dhe profesoreshë universitare dhe akademike. Studimet i përfundoi në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë, ndërsa doktoratën në UP. Pjesën më të madhe të jetës profesionale ia ka kushtuar Universitetit të Prishtinës”, deklaroi Nagavci. Ndërkaq, kandidaten Eliza Hoxha e prezantoi shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri.
Pas prezantimit të kandidaturave, Kuvendi vijoi procedurat për zgjedhjen e presidentes së re të Kosovës./k.m
