Last Updated on 24/09/2026 by EL
Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar me shumicë prej 106 votash pro angazhimin e vendit në misionin paqeruajtës në kuadër të Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gaza.
Ky vendim konsolidon rolin e Shqipërisë si një partnere e besueshme në arenën ndërkombëtare dhe si një kontribuuese aktive për sigurinë globale.
Përmes një reagimi pas votimit në parlament, Ministri i Mbrojtjes, z. Ermal Nufi, e cilësoi këtë vendim si një hap thelbësor që përkthen përkushtimin politik të Shqipërisë në veprime konkrete në terren.
“Një vendim që e shndërron angazhimin e Shqipërisë për paqen në një kontribut konkret në terren.
Si aleat i vendosur, Shqipëria qëndron krah për krah me SHBA në përpjekjet për paqe me përgjegjësi, solidaritet dhe kontribut për sigurinë ndërkombëtare”, shkruan Nufi.
Prania e trupave shqiptare në kuadër të kësaj force ndërkombëtare rikonfirmon rreshtimin e Shqipërisë krah aleatëve të saj strategjikë dhe përkushtimin për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajonet me krizë./et

