Të paktën 11 emigrantë kanë humbur jetën pas përmbysjes së një varke në ujërat pranë Maltës, në një tjetër tragjedi që godet rrugët e migracionit në Mesdhe.
Pamjet e publikuara nga organizata joqeveritare Sea-Watch tregojnë momentet e operacionit të shpëtimit pas aksidentit detar. Sipas organizatës, numri i viktimave ka arritur në të paktën 11 persona, ndërsa ende nuk dihet sa persona rezultojnë të zhdukur.
Varka ishte nisur nga Libia me rreth 60 emigrantë në bord dhe u përmbys rreth 45 milje detare në lindje-juglindje të Maltës.
Roja Bregdetare italiane njoftoi se ekipet e shpëtimit gjetën 10 trupa të pajetë, ndërsa një anije peshkimi që ndodhej pranë zonës arriti të shpëtojë rreth 48 persona.
Autoritetet italiane thanë se një anije patrulluese u dërgua menjëherë në vendngjarje sapo u mor njoftimi për emergjencën.
Mesdheu Qendror mbetet një nga rrugët më të rrezikshme të migracionit në botë, ku mijëra emigrantë dhe refugjatë përpiqen çdo vit të arrijnë në Evropë duke u nisur nga brigjet e Afrikës së Veriut./MXH
