Last Updated on 09/12/2024 by adminfjala
Projektligji i sjellë nga Partia Socialiste për faljen e gjobave të ndërtimeve pa leje në zonat rurale shkaktoi debate të ashpra në seancën plenare të së enjtes që shkoi, për faktin se do të shqyrtohej me procedurë të përshpejtuar. Por, përveç faljes së gjobave për periudhën 1 janar 2015-30 nëntor 2024, projektligji përcakton edhe disa objektiva të tjerë. Sipas relacionit të depozituar në Kuvend nga grupi i punës së deputetëve të Partisë Socialiste, së bashku me anulimin e masave administrative të papaguara për periudhën në fjalë, projektligji parashikon edhe lehtësimin e procedurave dhe dokumentacionit për një tipologji të caktuar ndërtimesh, që janë të domosdoshme për zonat rurale, sidomos përmirësimi i shtëpive të banimit, si dhe objektet që janë në shërbim të veprimtarisë bujqësore. Gjithashtu, projektligji propozon edhe rishikimin e tarifave dhe taksave nga ana e pushtetit vendor, për të ulur kostot për banorët e zonave rurale.
Për realizimin e këtyre tre objektivave deputetët propozojnë që të ketë një ndarje të qartë mes tipologjisë së ndërtimit. Në grupin e parë të objekteve bëjnë pjesë, ndërhyrjet në shtëpi banimi në zona rurale, zgjerim banese pa prishur strukturën bazë pavarësisht nga sipërfaqja. Në grupin e dytë të objekteve janë ndërhyrjet në stalla, serra, ambiente dhe magazina që nuk janë për qëllim banimi, por për pika grumbullimi, aktivitet bujqësor apo blegtoral. Për te dy grupet e objekteve, grupi i punës ka bërë edhe propozimet për ndryshime në dy aktet nënligjore; në VKM 408/2015 “Për miratimin e Rregullores së Zhvillimit të Territorit” dhe VKM Nr. 283, datë 1.4.2015 për përcaktimin e tipave, rregullave, kritereve dhe procedurave për ndërtimin e objekteve për prodhimin, ruajtjen dhe përpunimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale, në tokë bujqësore, e ndryshuar”.
Reagon opozita
Ndërkohë deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, është shprehur se falja e gjobave legalizon informalitetin dhe shkeljen e ligjit. Komentet Tabaku i bëri në një media, ku tha se ajo mendonte se nëse do të bëhej një amnisti për gjobat, atëherë qytetarët do të bënin shkeljen e radhës, duke pritur sërish amnisti me afrimin e zgjedhjeve. Ajo shtoi gjithashtu se falja e gjobave për ndërtimet pa leje duhet të ishte bërë 2 vite më parë, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që e cilësoi ligjin si anti-kushtetues dhe jo tani në prag të zgjedhjeve. “Në 2022 ka një vendim të Kushtetueses që e ka quajtur atë ligj antikushtetues. Pra ai ligj nuk duhet të kishte ekzistuar dy vitet e fundit, nuk duhet të ishte zbatuar.
U kujtuan pas 2 vitesh për të zbatuar një vendim të Kushtetueses për një ligj që e kanë zbatuar për disa inspektoriate dhe më pas tani e falin? Unë shikoj pjesën problematike atë të faljes së gjobave për sa i përket sigurisë së ushqimit. Unë në fakt jam për një mënyrë ndryshe të të funksionuarit të shtetit, për një sistem që nuk funksionon mbi gjobat. Këta thanë do bëjmë shtet, dhe vendosnin gjoba. Këtu bëhet fjalë që kur ti fillon me konceptin e faljeve, ti e legalizon informalitetin. Kjo ka qenë arsyeja që unë kam qenë kundër amnistisë fiskale. Në parim unë mendoj se këto gjoba duhet të ishin falur në kohë, atëherë kur u vendosën këto gjoba. Kjo duhet vendosur edhe në një prizëm ligjor dhe shtetformues dhe duhet parë se kush i vendos këto gjoba”, deklaroi Tabaku./ S.M