Reach, kompania që zotëron gazetat Mirror dhe Express në Angli do të shkurtojë edhe 220 vende pune në redaksitë e saj, ndërsa përballet me një rënie të fortë të trafikut online dhe ndryshimin e mënyrës se si lexuesit konsumojnë lajmet.
Kompania, e cila zotëron gjithashtu Daily Star, Daily Record dhe dhjetëra media rajonale e platforma online, e cilësoi situatën si një “ndryshim gjigant” në mënyrën se si audiencat kërkojnë dhe konsumojnë përmbajtje.
Një prej faktorëve kryesorë është rënia e trafikut që vjen nga Google. Reach tha më herët gjatë vitit se shikimet e faqeve digjitale ishin goditur nga një rënie prej 46% me bazë vjetore e trafikut nga Google.
Sipas kompanisë, funksione të tilla si “AI Mode” dhe “AI Overviews” të Google po u japin përdoruesve përgjigje dhe përmbledhje drejtpërdrejt në rezultatet e kërkimit, duke reduktuar nevojën për të klikuar dhe vizituar faqet e mediave.
Në kuadër të ristrukturimit, Reach do të mbyllë edhe tri media që funksionojnë vetëm online: KentLive, AberdeenLive dhe GalwayBeo. Kompania argumenton se këto marka nuk kishin arritur të bëheshin botuesit dominues në tregjet e tyre rajonale.
Megjithatë, krahas 220 shkurtimeve, Reach planifikon të krijojë rreth 60 vende të reja pune editoriale, të fokusuara në rritjen e të ardhurave digjitale.
Drejtori i përmbajtjes në Reach, David Higgerson, u tha punonjësve se industria ndodhet në mes të një ndryshimi të madh në mënyrën se si audiencat kërkojnë përmbajtje dhe gazetari. Sipas tij, investimet duhet të përqendrohen aty ku audiencat kalojnë më shumë kohë dhe ku të ardhurat pasqyrojnë më mirë vlerën e punës së gazetarëve.
Strategjia e re parashikon më pak fokus te prodhimi i një numri të madh artikujsh dhe më shumë investim në gazetari origjinale dhe në krijimin e markave mediatike të dallueshme.
Rreth 60 pozicionet e reja do të përqendrohen veçanërisht te abonimet dhe videot me format më të gjatë, dy fusha që Reach i konsideron të rëndësishme për rritjen e të ardhurave digjitale.
Të ardhurat digjitale të kompanisë ranë me pothuajse 1%, në 128.9 milionë paund në vitin deri më 3 mars. Reach aktualisht ka rreth 50 mijë abonentë digjitalë me pagesë në gjashtë prej markave të saj kryesore dhe synon të arrijë 75 mijë deri në fund të vitit aktual financiar./ad
