Last Updated on 17/09/2026 by Anisa
Pas aktgjykimit ndaj ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, djali i tij, Altin Krasniqi, ka reaguar përmes një mesazhi të ndjerë, duke kujtuar gjashtë vitet e pritjes dhe dhimbjes së familjes.
Në reagimin e tij, Altin Krasniqi e nis me një shprehje që, sipas tij, e përshkruan më së miri qëndrueshmërinë e babait të tij:
“Njeriu është më i fortë se guri. Çka s’mund ta mbajë guri, e mban njeriu.”
Ai thotë se këto fjalë kanë marrë një kuptim edhe më të madh pas viteve të vështira që familja ka kaluar.
“Jeta ka qenë e padrejtë me ty, por ti prapë qëndrove me kokën lart. Gjashtë vjet pritje, gjashtë vjet dhimbje, e asnjëherë nuk ta pamë kokën të ulur”, shkruan Altin Krasniqi.
Duke iu referuar aktgjykimit, ai shpreh dhimbjen dhe zhgënjimin e familjes, duke thënë se goditja nuk e ka rrëzuar babanë e tij, por ka prekur thellë besimin e tyre në drejtësi.
“Pas këtij aktgjykimi, nuk u theve ti. U thye diçka brenda nesh. U thye besimi ynë në drejtësi”, shprehet ai.
Megjithatë, Altin Krasniqi thotë se familja do të vazhdojë të qëndrojë e fortë, duke ndjekur shembullin që, sipas tij, Jakup Krasniqi ua ka dhënë gjatë gjithë këtyre viteve.
“Por ne do të vazhdojmë të qëndrojmë. Ashtu siç na ke mësuar ti”, shkruan ai.
Në fund të reagimit, mes dhimbjes dhe qëndresës, ai i drejtohet drejtpërdrejt babait të tij me një mesazh të shkurtër:
“Me dhimbje në zemër, por me kokën lart. Me kokën lart, babë. Gjithmonë.”
Mesazhi i Altin Krasniqit vjen pas një periudhe gjashtëvjeçare që familja e ka përjetuar mes pritjes, pasigurisë dhe dhimbjes, ndërsa aktgjykimi i fundit ka sjellë një tjetër moment të rëndë për ta.
Dhomat e Specializuara të Kosovës e shpallën Jakup Krasniqin fajtor për krime lufte dhe e dënuan me 25 vjet burgim./ad
