Last Updated on 26/10/2026 by Leonard
Libri “Ana e fshehur i e kopshtit të Shqipërisë socialiste dhe ese të tjera” (Skrivena strana albanskog socijalističkog vrta /Secret side of Albaian Socialist Garden) i shkrimtarit shqiptar Arian Leka është përfshirë në listën e ngushtë për çmimin letrar ndërkombëtar “Predrag Matvejević” për vitin 2026. Nga gjithsej 130 libra të dorëzuar, juria ka përzgjedhur 15 tituj mes të cilëve edhe libri i Arian Lekës. Libri është përkthyer në kroatisht nga Željka Somun dhe botuar nga “Fraktura”, 2025. Konkurrimi për çmimin letrar ndërkombëtar “Predrag Matvejević” vjen si propozim i shtëpisë botuese “Fraktura”, që përfaqësohet dhe dorëzon zyrtarisht për konkurim vetëm me një libër tek organizatorët.
I themeluar në për të nderuar kujtimin dhe trashëgiminë e intelektualit, shkrimtarit dhe disidentit të shquar europian Predrag Matvejević (1932–2017), ky çmim vlerëson çdo vit vepra të zhanreve të ndryshme, që ndërthurin cilësinë letrare me vlerat që i qëndrojnë besnike parimeve më të gjera humaniste që një autori si Predrag Matvejević ka mbrojtur gjatë jetës së tij, si liria e vërtetë e shprehjes, kapërcimi i kufijve kombëtarë dhe etnikë përmes letërsisë, guximin intelektual, gjithëpërfshirja, urat kulturore të Ballkanit, kozmopolitizmin dhe vlerat e një shoqërie multikulturore.
Çmimi jepet për një vepër letrare të çdo zhanri – ese letrare, tregime, poezi, dramë, romane apo forma hibride – e cila, përveç cilësisë së padiskutueshme letrare, çmon dimensionet metafizike dhe etike, si dhe ato sociologjike apo filologjike, që u përgjigjen më mirë kritereve të konkursit sesa format konvencionale të zhanreve. Çmimi Letrar “Predrag Matvejević” gëzon reputacionin e një çmimi me peshë të rëndësishme morale dhe intelektuale në hapësirën kulturore të Ballkanit dhe Europës. Ai organizohet në Zagreb me mbështetjen e institucioneve si Qendra Kulturore dhe Informative Zagreb (KIC), familjes Matvejević dhe PEN Klubit Kroat.
Çmimi përbëhet nga statuja “Matvejević” e skulptorit nga Beogradi Mrđan Bajić dhe një vlerësim prej 2,500 euro por, në rrethet letrare çmimi “Predrag Matvejević” shihet një restigji moral, pasi do të thotë se vepra ka peshë të rëndësishme sociale dhe kontribuon në dialogun ndërkulturor mes popujve të Ballkanit dhe Mesdheut, ashtu siç bënte Matvejević përmes letërsisë së tij angazhuese. Fituesi i çmimit do të shpallet më 30 tetor, ndërsa ceremonia e ndarjes së çmimit është planifikuar për më 6 nëntor, në orën 18:00, në Qendrën Kulturore dhe Informative në Zagreb.
Predrag Matvejević, intelektuali që mbrojti lirinë dhe dialogun mes popujve
Predrag Matvejević ishte pjesë e rrethit editorial të “Praxis”, një revistë filozofie me seli në Zagreb që inkurajonte diskutimin kritik mbi socializmin jugosllav dhe mbante seminare të njohura verore në ishullin e Korçulës. Përfshirja e tij çoi në kufizime në mësimdhënien e tij në vitin 1968. Nga viti 1970 e tutje, Matvejević u bë një zë intelektual publik, duke botuar një seri prej 75 “letrash të hapura” (më vonë të mbledhura si Letra nga Europa Tjetër), në mbrojtje të shkrimtarëve dhe disidentëve në të gjithë Evropën Lindore. “Në këto 75 letra, unë mbështes liritë – por jo në një kuptim teorik ose abstrakt: Unë mbështes lirinë e shkrimtarëve, letërsisë, intelektualëve dhe inteligjencies. Nga Bashkimi Sovjetik në Jugosllavi, nga Andrei Sinyavsky te Danilo Kiš, është e nevojshme të fillojmë të besojmë përsëri në letërsi.”
I lindur në Mostar në vitin 1932, Predrag Matvejević ishte një shkrimtar, eseist dhe përkthyes i shquar jugosllav, i njohur më së miri për veprën e tij “Libër dore për Mesdheun” i përkthyer në mbi njëzet gjuhë, përfshi dhe gjuhën shqipe. Ai është fitues i 14 çmimeve ndërkombëtare letrare, mbajtës i urdhrit kombëtar të Legjionit të Nderit dhe nënkryetar i përjetshëm i Klubit Ndërkombëtar PEN në Londër. Si shkrimtar dhe intelektual i respektuar, ai shpesh foli publikisht kundër nacionalizmit dhe luftës në ish-Jugosllavi dhe kritikoi regjimet autoritare në letra të hapura, duke mbrojtur respektin për të drejtat dhe liritë e njeriut. Të tekstin e tij të njohur “Fytyra e Serbisë”, Predrag Matvejević shkruan: “Kam folur dhe do të flas për turp. Më vjen turp për agresivitetin e nacionalistëve serbë, më vjen turp për mënyrën se si ata poshtërojnë dhe nënvlerësojnë ndjenjat e tjera kombëtare në ish-Jugosllavi dhe identifikojnë “serbizmin” me jugosllavizmin; më vjen turp për urrejtjen që ata demonstruan në një mënyrë kaq të shëmtuar ndaj myslimanëve boshnjakë dhe shqiptarëve të Kosovës; më vjen turp për ata që e udhëhoqën në mënyrë monstruoze Ushtrinë Popullore Jugosllave në luftën kundër popujve jugosllavë; më vjen turp për atë pjesë të Kishës Ortodokse Serbe që përhapi intolerancën dhe mbështeti luftën, në kundërshtim të plotë me mësimet e Krishtit; më vjen turp për intelektualët që i bëjnë homazh “të kaluarës së shenjtë kombëtare”, ideologët që përgatitën shpirtërisht terren pjellor për krime, shkrimtarët që nxitën kombin dhe shkuan në front për të ngritur moralin e vrasësve; më vjen turp për të gjithë ata që nuk donin të shihnin ose të dëgjonin asgjë, ose bënë sikur nuk shihnin ose nuk dëgjonin; më vjen turp për të gjithë ata që kontribuan që fjalët Beograd dhe Serbi të shqiptoheshin kaq shpesh me fjalë dënimi dhe neverie.”
Përveç gjenezës së zymtë të këtyre politikanëve dhe politikave të tyre, Matvejević la pas edhe një të dhënë që mbetet si një dëshmi e pashmangshme e aktit të fundit të tragjedisë jugosllave. Titulli i këtij teksti është “Në Adriatik, Kosova”. Këta janë refugjatë nga Kosova të cilët, duke ikur nga lufta në pranverën e vitit 1999, kaluan Shqipërinë në Vlorë, nga ku më pas u përpoqën të arrinin në Itali nëpërmjet Ngushticës së Otrantos. Matvejević shkruan për takimet e tij me këta njerëz dhe dëshmitë e tyre. “Nuk kam dëgjuar asnjë fjalë të keqe për fqinjët e mi serbë”, vëren ai, “por ata flasin keq për ushtrinë dhe veçanërisht për policinë”. Ata lanë pas fshatra të djegura, xhami të shembura dhe varre masive.
Arian Leka përmes syve të kritikës letrare
Libri i Arian Lekës “Skrivena strana albanskog socijalističkog vrta” (Ana e fshehur e kopshtit socialist shqiptar) i autorit të njohur shqiptar Arian Leka, i botuar në Kroaci nga shtëpia botuese Fraktura, përbën një nga ngjarjet e rëndësishme kulturore në marrëdhëniet letrare midis Shqipërisë dhe hapësirës kroate e të Europës juglindore. Përmes një stili të hollë, analitik dhe thellësisht personal, ky libër esesh – i përkthyer mjeshtërisht në kroatisht nga Željka Somun dhe i pasuruar me fotografat dokumentare të fotografit francez Michel Setboun – ka zgjuar interesin e kritikëve, studiuesve dhe shkrimtarëve më në zë të rajonit, duke u vlerësuar si një kryevepër e zbërthimit të kujtesës kolektive nën urë mirëkuptimi kulturor, që prek hapësirën nga kujtesa e izolimit komunist te reflektimi mbi Shqipërinë e sotme.
Një nga vlerësimet më poetike dhe më të thella për këtë vepër vjen nga shkrimtarja e madhe kroate, e ndjera Daša Drndić. Në shënimet e saj kritike, Drndić e cilëson Arian Lekën si një “stilist të përsosur” dhe shprehet: “Ka aq shumë kambana shungëlluese e melodioze në këto ese brilante të shkrimtarit të njohur shqiptar. Histori të vogla të nxjerra nga errësira dhe një rrëfim i madh i pjekur nga shpresa. Stilisti i përsosur shfleton kujtimet, pa hezituar të ndriçojë kohën e vdekur të atdheut të tij, Shqipërisë. Me një qetësi prej murgu dhe monolititet intelektual, Arian Leka i tregon botës se tmerret e historisë mund të munden vetëm përmes një bukurie të tillë të gjuhës dhe shpirtit.”
Nga një këndvështrim më akademik dhe gjeopolitik, studiuesi, profesori dhe diplomati kroat Zlatko Kramarić, në esenë e tij studimore “Albanija i more”, ndalet gjatë te metaforat e shkëlqyera të librit. Kramarić fokusohet te marrëdhënia komplekse e Shqipërisë me detin, duke vënë re se ndonëse vendi laget nga dy dete, kultura e tij po kalon vetëm tani përmes një “mediteranizimi të vonuar”. Ai vlerëson sesi Leka zbërthen transformimin traumatik të detit nga një koncept komunikimi e shkëmbimi (Mare Nostrum) në një kufi të tmerrshëm izolimi (Mare Monstrum) gjatë komunizmit. Kramarić analizon gjithashtu konceptin ironik të Lekës për “Federatën Meteorologjike” – ku gjatë regjimit, parashikimi i motit në televizion injoronte shtetet fqinje ballkanike si kategori politike, duke i fshirë ato nga harta e mendjes së qytetarëve, ashtu siç fshihej çdo kontakt me botën e jashtme. Për Kramarić-in, ky libër dëshmon sesi në Shqipërinë e izoluar, kujtimet shpesh “vrasin pa zhurmë, si një pistoletë me silenciator”.
Kritikë të tjerë të skenës letrare kroate e kanë parë veprën si një gërshetim brilant të faktit historik me fiksionin letrar, duke vërejtur se Leka arrin të përshkruajë me saktësi kirurgjikale absurditetin e jetës në atë që ai e quan “burgu më i bukur në botë” dhe se libri i shpëton kurthit të analizave të ftohta historike duke u fokusuar te mikro-historitë njerëzore – siç ishte përpjekja absurde për të kapur sinjalet e huaja televizive nga Italia apo Jugosllavia duke fikur zërin e televizorit nga frika e spiunëve të lagjes.
Në të njëjtën linjë, kritika e gjerë mediatike në Kroaci (përfshirë gazeta si Slobodna Dalmacija dhe platforma si Historiografija.hr) veçojnë faktin se libri i Lekës nuk është thjesht një kujtesë nostalgjike apo dëshmi lokale, por një zë që reflekton thellë mbi migrimin dhe të tashmen tonë globale. Përpjekjet e dëshpëruara të shqiptarëve për t’u larguar me anije të improvizuara në gusht të vitit 1991 shihen në libër si një pararendës profetik i krizave moderne të migracionit në Mesdhe, duke e bërë veprën jashtëzakonisht aktuale për lexuesin europian.
Jehona e librit ka kaluar edhe kufijtë e Kroacisë, duke marrë vlerësime të larta nga kritika boshnjake dhe autorë të tjerë rajonalë. Ata kanë vënë në dukje kontradiktën e fuqishme që qëndron në titull: trajtimin e Shqipërisë si një “kopsht socialist” që në të vërtetë ishte një laborator izolimi artificial, ku natyra dhe njeriu u tjetërsuan për qëllime ideologjike.
Shkrimtari i mirënjohur serb Dragan Velikić, pas leximint të librit të Arian Lekës “Ana e fshehur e kopshtit socialist shqiptar dhe ese të tjera”, shkruan: “Prej kohësh nuk kisha lexuar një libër kaq magjepsës që, me gjuhë poetike, analizon me shumë hollësi realitetin e një vendi. Përmes metaforave të forta, si rreshtat e fuçive në det apo heshtja e imponuar gjatë ndeshjeve të futbollit, Arian Leka analizon me finesë mjeshtërore mekanizmat e frikës, izolimit dhe vetëcensurës në Shqipërinë e Enver Hoxhës, sa “ndonjëherë më dukej sikur Serbia dhe maskota e saj e qeshur Aleksandar Vučić po këqyrnin nga poshtë kopertinës së “Anës së fshehur të kopshtit socialist shqiptar.” Dragan Velikić e vlerëson librin si një tekst të mahnitshëm, ku gjuha gjuha poetike bëhet mjet i analizës politike dhe morale, që i kundërvihet dhunës, duke e tejkaluar kontekstin shqiptar dhe duke krijuar paralele shqetësuese me realitete autoritare bashkëkohore, veçanërisht me Serbinë e sotme. Në ketë këndvështrim, vepra e Arian Lekës, lexohet jo vetëm si kujtesë historike, thekson Dragan Velikić, por edhe si paralajmërim i gjerë për rrezikun e regjimeve që mbahen gjallë nga frika, propaganda dhe represioni.
Në intervistat e tij të shumta dhëna për mediat më të mëdha kroate (si Jutarnji list, Express, Moderna Vremena), vetë Arian Leka ka plotësuar këtë mozaik vlerësimesh duke shpjeguar zërin e tij si një intelektual, duke treguar mbi dekonstruktimin e perceptimit artificial për “Tjetrin”. Në Shqipërinë e mbyllur, imazhet për botën ndërtoheshin përmes copëzave të ndaluara dhe sendeve që importoheshin prej tyre. Përmes këtij zbërthimi, Arian Leka jo vetëm që tregon vuajtjen shqiptare, por e detyron lexuesin e huaj të ballkanizuar të fshijë paragjykimet e vjetra për Shqipërinë, duke ndërtuar një urë të fuqishme empatie dhe mirëkuptimi kulturor.
