Liderët evropianë në Kiev për Ditën e Pavarësisë së Ukrainës, mungojnë përfaqësuesit e administratës Trump
Liderë të lartë evropianë u mblodhën të hënën në Kiev, teksa Ukraina shënoi 35-vjetorin e pavarësisë dhe të pestën Ditë të Pavarësisë që prej nisjes së pushtimit të plotë rus në vitin 2022.
Kryeministri britanik Andy Burnham, në udhëtimin e tij të parë jashtë vendit që prej marrjes së detyrës, iu bashkua presidentit të Këshillit Evropian, António Costa, dhe zyrtarëve të tjerë të lartë evropianë në ceremonitë përkujtimore dhe takimet me presidentin Volodymyr Zelenskyy.
Takimi u zhvillua edhe në kuadër të “Koalicionit të të Vullnetshmëve”, ndërsa presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Friedrich Merz iu bashkuan diskutimeve në distancë. Në fokus të bisedimeve ishte forcimi i mbrojtjes ajrore të Ukrainës përpara dimrit.
Bashkimi Evropian njoftoi një paketë të re prej 6.1 miliardë eurosh ndihmë ushtarake për Kievin. António Costa vlerësoi “guximin dhe trimërinë” e popullit ukrainas, duke theksuar se BE-ja do të vijojë mbështetjen për aq kohë sa të jetë e nevojshme.
“E drejta ndërkombëtare duhet të mbizotërojë. Rusia nuk do të fitojë. Bashkimi Evropian nuk mund të jetë neutral kur shkelet e drejta ndërkombëtare. Ne nuk jemi neutralë, ne jemi mbështetës të Ukrainës”, deklaroi Costa.
Ndërkohë, kryeministri britanik Andy Burnham krahasoi rezistencën e Ukrainës ndaj Rusisë me përballjen e Britanisë së Madhe kundër Gjermanisë naziste, duke premtuar mbështetje për forcimin e mbrojtjes ajrore të vendit. Ministri britanik i Mbrojtjes, Luke Pollard, konfirmoi gjithashtu se Londra do të ndajë teknologji me Ukrainën për të mbështetur prodhimin vendas të raketave me rreze të gjatë veprimi SCALP.
Në ceremonitë e Kievit ra në sy mungesa e përfaqësuesve të lartë të administratës së presidentit amerikan Donald Trump. Emisarët Steve Witkoff dhe Jared Kushner nuk morën pjesë, pavarësisht spekulimeve se Dita e Pavarësisë mund të shënonte vizitën e tyre të parë në Ukrainë.
Në fjalimin e tij, Zelenskyy u ndal te çmimi i rëndë i luftës dhe sakrificat e popullit ukrainas për të ruajtur pavarësinë. Ai kujtoi se, 35 vjet më parë, disa shërbime inteligjente kishin vënë në dyshim aftësinë e Ukrainës për të mbijetuar si shtet i pavarur.
“Por ukrainasit rivendosën pavarësinë e shtetit të tyre dhe ne do ta mbrojmë patjetër pavarësinë e Ukrainës”, deklaroi presidenti ukrainas.
Zelenskyy dhe Zonja e Parë, Olena Zelenska, nisën ditën duke nderuar kujtimin e mbrojtësve të rënë, ndërsa presidenti u dorëzoi dekoratat më të larta shtetërore ushtarakëve ukrainas dhe familjeve të atyre që humbën jetën në luftë.
Ndryshe nga vitet e mëparshme, në qendër të Kievit nuk u zhvillua një paradë tradicionale ushtarake. Ukraina zgjodhi të ekspozonte dronët dhe teknologjitë e tjera të mbrojtjes të prodhuara në vend, të cilat janë kthyer në një element kyç të përpjekjeve të saj në luftë.
Ceremonitë u zhvilluan në një moment të tensionuar, pas intensifikimit të sulmeve ruse me raketa balistike dhe dronë kundër qyteteve ukrainase. Zelenskyy deklaroi se furnizimet me interceptorë të sistemit Patriot kanë rënë ndjeshëm, ndërsa sulmet ruse janë shtuar.
Kievi po kërkon të paktën 300 interceptorë shtesë përpara dimrit, duke e kthyer mbrojtjen ajrore në një nga çështjet kryesore të diskutimeve me aleatët evropianë.
