Last Updated on 11/11/2026 by EL
“Pasqyra Albania” do të njihet ligjërisht si platformë kombëtare për transparencën. Qeveria ka hedhur për konsultim projektligjin që e përcakton këtë nismë si platformën kombëtare për transparencën dhe komunikimin me qytetarët.
Përmes kësaj platforme, qytetarët dhe subjektet private do të mund të aksesojnë informacionin dhe dokumentacionin publik të institucioneve, të ndjekin ecurinë e projekteve publike, si dhe të gjurmojnë kërkesat dhe ankesat e tyre, sipas afateve të përcaktuara nga legjislacioni.
“Pasqyra Albania” do të ndërveprojë me sistemet qeveritare, si dhe me sistemet e tjera elektronike të institucioneve publike.
Sipas projektligjit, të dhënat do të merren drejtpërdrejt nga sistemet ku ato krijohen dhe administrohen, pa krijuar regjistra të rinj apo pa dyfishuar sistemet ekzistuese.
Kjo synon të shmangë ngarkesën administrative për institucionet, duke eliminuar hedhjen e dyfishtë të të dhënave. Ndërkohë, përgjegjësia për trajtimin e kërkesave dhe ankesave të qytetarëve do të vijojë të mbetet pranë institucioneve përkatëse, sipas përcaktimeve ligjore.
Projektligji parashikon krijimin e mundësisë që personat fizikë dhe juridikë privatë të verifikojnë drejtpërdrejt të dhënat parësore në burimet shtetërore, sipas kushteve të përcaktuara në legjislacionin përkatës.
Referuar relacionit të projektligjit, kjo ndërhyrje synon të reduktojë procedurat burokratike, të shkurtojë kohën e shërbimit dhe të ulë kostot për qytetarët dhe bizneset./
