Last Updated on 11/11/2026 by EL
Një skandal që lidhet me përdorimin e inteligjencës artificiale në botimin e librave ka vënë në lëvizje autoritetet në Indi. Gjykata e Lartë e Madrasit ka urdhëruar nisjen e një hetimi për blerjen e qindra librave, që dyshohet se janë krijuar përmes inteligjencës artificiale dhe më pas janë furnizuar në bibliotekat publike të shtetit Tamil Nadu.
Rasti u bë publik pasi shkrimtari i njohur tamil, Perumal Murugan, ngriti shqetësime për përmbajtjen e librave në bibliotekën e sapohapur në qytetin Coimbatore. Sipas tij, një pjesë e botimeve përmbanin informacione të pasakta, autorë të panjohur dhe të dhëna të dyshimta për botimin.
Në qendër të polemikave janë rreth 1 mijë e 800 libra, të cilët dyshohet se janë furnizuar nga një shtëpi botuese pak e njohur. Mes tyre janë evidentuar tituj me çmime të larta, të dhëna të diskutueshme për autorësinë dhe gabime në atribuimin e veprave klasike të letërsisë tamile.
Një tjetër rast ka tërhequr vëmendjen në një bibliotekë publike në qytetin Madurai. Një libër për demokracinë dhe të drejtat e qytetarëve mbante emrin e ekonomistit të njohur Jean Drèze, i cili ka mohuar se e ka shkruar atë.
Gjykata ka urdhëruar agjencinë kundër korrupsionit të hetojë blerjet dhe të bllokojë llogaritë bankare të lidhura me një prej botuesve të dyshuar. Ndërkohë, autoritetet kanë nisur kontrollet edhe në biblioteka të tjera. Ministri i Arsimit ka bërë të ditur se 523 libra janë hequr nga biblioteka historike Connemara në Chennai, pas dyshimeve për vërtetësinë dhe cilësinë e tyre.
Çështja ka shkaktuar edhe përplasje politike. Qeveria aktuale ka fajësuar administratën e mëparshme për blerjen e librave, ndërsa kjo e fundit i ka mohuar akuzat, duke i cilësuar ato të motivuara politikisht.
Mbi 160 shkrimtarë, studiues, artistë dhe botues kanë kërkuar një hetim të pavarur, transparencë për procedurat e blerjes dhe kontroll të plotë të fondeve publike të përdorura.
Rasti ka hapur një debat më të gjerë mbi përdorimin e inteligjencës artificiale në botimin e librave dhe vështirësitë për të verifikuar autorësinë, saktësinë e informacionit dhe besueshmërinë e përmbajtjes./et
