Një lëvizje e re qytetare u prezantua në Korçë, me synimin për të sjellë një alternativë të re në zgjedhjet e ardhshme vendore. Projekti mban emrin “RRUGA – Aleanca e Madhe për Korçën” dhe ndër emrat e njohur që bëhen pjesë e kësaj nisme janë Ardit Konomi, Leonard Olli dhe Klajdi Pllaha.
Përmes një deklarate publike, përfaqësuesit e kësaj lëvizjeje bëjnë të ditur se synojnë të ndërtojnë një model të ri organizimi dhe qeverisjeje, të mbështetur te mendimi i lirë, pjesëmarrja aktive e qytetarëve dhe përgjegjësia komunitare. Sipas tyre, Korça ka nevojë për më shumë sesa një figurë të re në krye të bashkisë, duke theksuar se ndryshimi kërkon një vizion të qartë, kompetencë dhe një qasje të ndryshme ndaj administrimit të qytetit.
“RRUGA” prezantohet si një forcë qytetare e hapur, që synon të jetë alternativa e së ardhmes dhe përfaqësimi i vullnetit dhe pritshmërive të banorëve të kësaj treve në zgjedhjet e ardhshme vendore. Në fokus të kësaj nisme, sipas deklaratës, do të jetë një qeverisje transparente dhe e përgjegjshme, që dëgjon qytetarët, nxit bashkëpunimin dhe mbështetet te dija, integriteti dhe kompetenca. Lëvizja synon gjithashtu që bashkia të jetë një institucion që u shërben realisht qytetarëve, duke krijuar më shumë mundësi për të rinjtë dhe për zhvillimin e familjeve në Korçë.
Përfaqësuesit e saj theksojnë se “RRUGA” nuk i përket një individi apo një grupi të mbyllur, por është një projekt i mbështetur në një aleancë të gjerë qytetare, ku ftohen të kontribuojnë profesionistë, sipërmarrës, fermerë, artistë, studentë, punëtorë, organizata qytetare dhe anëtarë të diasporës. Sipas tyre, kjo nismë nuk synon të ndërtohet mbi marrëveshje politike të mbyllura, por mbi një bashkëpunim të gjerë me qytetarët që kërkojnë ndryshim dhe zhvillim për qytetin.
Në ditët dhe javët në vijim, “RRUGA” pritet të prezantojë vizionin, programin dhe planin konkret për realizimin e objektivave të saj. Nisma e re qytetare vjen në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme vendore, ndërsa mbetet për t’u parë se si do të konkretizohet kjo aleancë dhe çfarë forme do të marrë përfaqësimi i saj në garën për Bashkinë e Korçës./k.m
