Last Updated on 24/12/2024 by adminfjala
Nga Paul Luijf *
Prej vitesh më ngacmonte ideja që duhet të shkruhej një libër mbi jetën e vështirë dhe njëkohësisht të jashtzakonshme të Osman Kazazit. Këtë ide e bisedova me zonjën Nesrete Jegeni-Kazazi, një e afërme e Osman Kazazit. Ajo më tregoi se gjithashtu edhe ajo ëndërronte dhe nuk do të gjente qetësi në varr nëse nuk shkruhej një libër për Osman Kazazin. Në takimin tonë u hodh fara e këtij bashkpunimi dhe kështu u shkrua ky libër nga historiani dhe miku im i mirë Astrit Jegeni.
Në këtë parathënie do të përshkruaj shkurt përvojën personale dhe kujtimet e çmuara që kam nga Osman Kazazi, një burim inspirimi dhe frymëzimi për jetën time. Një nderim i merituar.
Më 21 dhjetor 1991 lexova një artikull shumë interessant në gazetën “Het Parool” , një gazetë e rëndësishme në Hollandë, e shkruar nga gazetari, i cili më vonë u bë miku im, zoti Joop Holthausen.
Artikullin me titull “Të burgosurit e harresës” e lexova jo vetëm me një interes të veçantë por edhe me lot në sy! E lexova këtë artikull disa herë me shumë emocione dhe i përlotur dhe mbase kjo më bëri të vihem në lëvizje .
Ky artikull më preku aq shumë dhe sinqerisht nuk i besoja syve atë që po lexoja. Një tragjedi e dhimbshme që kishte ndodhur në vendin më të izoluar të Europës për 45 vite me rradhë! Në atë kohë Shqipëria ishte e panjohur. Pasi lexova këtë artikull i thashë vehtes: “Unë nuk mund të ia heq dhimbjet këyre njerëzve por mund të ja lehtësoj sadopak. U përfshiva në vuajtjet e ish të dënuarve dhe doja ti ndihmoja me çfarë të mundja. Padrejtësia e madhe që i ishte bërë këtyre njerëzve ishte e pa konceptueshme për mua. Këtu e ka zanafillën misioni im në Shqipëri.
Artikulli i gazetës përshkruante vuajtjet çnjerzore të ish të dënuarve politik në Shqipëri, torturat barbare si edhe dënimet me burg për gjithë jetën. Një histori bizare dhe gati e pabesueshme mbi jetën e vëllezërve Koleci dhe bashkëshorteve të tyre, por sidomos historia e veçantë e Osman Kazazit dhe e motrave të tij. Një histori vuajtjesh në regjimin më të egër stalinist/komunist të të gjitha kohrave të Enver Hoxhës, diktatorit më gjakatar të historisë. Ish të dënuarit politik ishin burgosur dhe ishin trajtuar në mënyrë çnjerzore në burgjet e komunizmit pa asnjë arsye. Osman Kazazi gati gjithë jetën e tij e kaloi i burgosur. Njerëz brilantë që u këputën në lulen e jetës së tyre!
Këto histori më mbërthyen, më bënë të ndjehem i pafuqishëm dhe i trishtuar. Nuk mund të përfytyroja që xhelatët dhe të gjithë ata që ishin përgjegjës për këto vuajtje në atë regjim, mund të jetonin dhe të flinin të qetë.
Ndërkohë ish të dënuarit dhe familjet e tyre jetonin në kushte mizerabele. Shteti nuk bënte asgjë për ta.
Njërëzit që luftuan për drejtësi dhe demokraci për të zbukuruar vendin e tyre, këta njerëz nuk duhet kurrë, por kurrë të zhduken në harresë!! Historia e reprezaljeve kunder luftëtarëve të rezistencës duhet të tregohet ndër breza.
Për mua është shumë e rëndësishme që këto të tregohen gjeneratë pas gjenerate, duhet të futet në tekstet shkollore sepse demokracia akoma nuk është falas në botën e sotme. Duhet të jemi të kujdesshëm me demokracinë e posa lindur Shqiptare.
Këta ish të dënuar janë heronj të vërtetë. Atyre ju rrëmbye gjithshka, ëndrrat dhe idealet, të dashurit e zemrës si edhe vitet e rinisë bashkë me dinjitetin. Por përsëri ata mbetën luftëtarë për një Shqipëri të lirë dhe të drejtë, për një Shqipëri ku të kishte liri shprehjeje. Ndër të tjera lexova se në Shqipëri mungonin gjërat më elementare si për shembull syze. Shumë prej të ish dënuarve politik janë intelektualë. Nje mundësi për të lexuar jep të ardhme.
Gjithmonë kam patur dëshirë të ndihmoja njerëzit në nevojë dhe kështu vendosa të ndihmoja Shqipërinë, ish të dënuarit politikë dhe familjet e tyre. Isha mjaft i interesuar të dija mbi jetën e tyre, motivet, forcën e mbijetesës si dhe historitë personale të tyre. Këta njërëz më kishin hyrë në zemër, këta njerëz kishin një histori të cilën bota duhej ta dinte. Ata kishin të drejtë të njiheshin dhe të ndihmoheshin, këtë doja ta bëja të mundur nisur nga profesioni im. Nuk mund ta anashkaloja këtë padrejtësi kaq të madhe dhe si thashë më lart ndoqa zemrën me moton: sa më shumë të japësh në jetë, aq më shumë pasurohesh.
Si fillim doja të takoja Osman Kazazin. Në dhjetor të vitit 1993, i ngarkuar me aparaturë matjesh për sy mora avionin në drejtim të Tiranës. Për mua një vend i panjohur i cili për një kohë të gjatë ishte komplet i izoluar nga bota. Një përvojë e veçantë ishte edhe fakti se avioni nuk mund të ulej në pistë pasi duheshin larguar njëherë lopët të cilat kishin zënë pistën e uljes. Sapo mbërritëm ikën dritat dhe njerëzit nxorrën qirinj nga xhepat e tyre të cilat i ndezën. Më kujtoi kohën e krishtlindjeve dhe ngrohtësinë ndërmjet njërëzve në kohë krishtlindjesh. Mirësevini në Shqipëri! Më pas udhëtuam drejt Tiranës në një rrugë të pandriçuar, me gropa dhe me fusha anash ku shihje bunkerë, herë pas here na parakalonte një kalë me karrocë. Papritur u gjenda gjysëm shekulli prapa në kohë.
Nëpërmjet familjes Adami, familja ku qëndroja në Shqipëri, shkuam pas disa ditësh në familjen Kazazi. Një shtëpi e rrënuar dhe e vjetër. Një takim për të mos u harruar kurrë. Osman Kazazi zbriti shkallët, na uroi mirëseardhjen me një zë të qetë dhe më përqafoi përzemërsisht. Unë përqafova një njeri shumë të brishtë por shumë karizmatik. Fytyra e rënë tregonte një jetë të vështirë por sytë i buronin forcë dhe gjallëri .Ai më bëri të ndjehesha menjëherë si në shtëpi.
Osman Kazazi ishte i surprizuar nga vizita ime dhe e vlerësoi vëmendjen dhe interesin tim për të. Unë e kisha marrë me vehte gazetën të cilën ai e vështroi me vëmendje. Me ndihmën e një përkthyesi filluam bisedën. Ai tha: “Krimet që janë bërë nga komunizmi duhet të bëhen të ditura” “ Ata duhet të përgjigjen për krimet e kryera kundër popullit” “ Kemi detyrimin e madh ndaj popullit tonë i cili i ka përjetuar këto krime por edhe ndaj mijrave të tjerë të cilët nuk mbijetuan”. Unë u gozhdova nga fjalët e tij, kisha përpara një person që megjithë vuajtjet e mëdha asnjë nga idealet e tij nuk kishte humbur.
Ai ishte shumë kurioz për vizitën time dhe më pyeti çfarë mund të bënte për mua, por këtë pyetje dëshiroja unë të ja bëja atij sepse unë kisha shkuar për atë. Ai ishte shumë modest por për fat të mirë unë i bëra matjet për syze atij dhe familjes së tij.
Në vizitat e mia në Shqipëri unë qëndroja në familjen Kazazi, si edhe në familje të tjera. Unë jam pritur shumë ngrohtë nga motrat e Osman Kazazit. Kështu u njoha me bujarinë e shqiptarëve dhe me kulturën e tyre të mrekullueshme. E kam përjetuar Shqipërinë si vendi i përqafimit. Që nga ai moment Shqipëria më rrëmbeu zemrën.
Eshtë e pamundur të përfytyrohet për dikë në perëndim çfarë ka përjetuar Osman Kazazi për dekada të tëra nga regjimi stalinist. Shtëpia e tij ishte e mbushur me miq dhe shokë, u bë shpejt një vendtakim për ish të përndjekurit politikë dhe familjarët e tyre. Edhe motrat e tij ishin shumë mikpritëse me viktimat e regjimit komunist dhe familjarët e tyre. Dukej sikur ai akoma nuk e kishte përfunduar misionin e tij dhe ishte shumë energjik. Për shumë prej tyre Osmani ishte një person i veçantë dhe i rëndésishëm me të cilin ata ndanin hallet dhe vuajtjet e tyre.
Më kujtohet Prena Gjeci nga Shkodra, një mike e mirë e Osmanit. Unë i kisha bërë matjet për syze asaj në shtëpinë e Osman Kazazit. Ajo u lumturua aq shumë dhe në shenjë mirënjohje më dhuroi një stemë të familjes. E kuptova se një dhuratë e tillë ishte shumë e çmuar dhe kalonte nga nënat tek bijat. Të mbron në kohë të vështira dhe unë gjithmonë do ta ruaj me kujdes.
Në mbi pesëdhjetë herët që kam vizituar Shqipërinë kam udhëtuar në vende të ndryshme dhe kam biseduar shumë.
Bashkë me Osman Kazazin vizituam burgun në Tiranë, Burrel, Spaç dhe kampin e internimit Säver dhe Shtyllas pranë Fierit. Gjatë këtyre vizitave ai më tregonte për torturat e gjata dhe qëndrimin në qelitë e izolimit.
Dëgjoja historitë e tmerrshme dhe të pabesueshme për një njeri normal dhe gjithnjë e më shumë bëhesha i vetëdijshëm se isha në shoqërinë e një njeriu të jashtzakonshëm. Shpesh nuk flisnim dhe mundohesha të kuptoja mbijetesën e tij me gjuhën e zemrës.
Shumë herë jam ndjerë i pafuqishëm për ta përfytyruar atë që tregonte dhe nuk mund ta besoja që njeriu mund të mbijetojë gjëra të tilla! Asgjë që i afrohet kufijve njërzorë……Zemra, dëshira dhe mendja e tij duhet të kenë qenë patjetër në të njejtin nivel durimi dhe prandaj arriti të mbijetojë dhe mos të dorëzohet kurrë!!!
Osman Kazazi, njeriu që në moshën 27 vjeçare u burgos dhe doli prej atje pas 43 vitesh në moshën 70 vjeçare…për mua kjo ishte jashtë çdo kufiri njerëzor.
Ky person modest, paqedashës dhe inteligjent me këmbënguljen dhe idealet e tij të detyronte ta respektoje.
Dhe ajo që vura re ..ai nuk ishte thyer, ishte optimist për të ardhmen. Për mua ishte shembulli se si një njeri pas një kalvari vuajtjesh të jetë në gjendje të dhurojë dashuri. Osmani kishte shumë dashuri, ai fliste me zë të ulët dhe i zgjidhte fjalët me kujdes; “Bashkim dhe dashuri, kjo e bën jetën të bukur”. Për mua ishin leksione jete, Osman Kazazi u bë burim inspirim për jetën time.
Kujtoj me shumë dashuri të gjitha bisedat dhe letërkëmbimin me Osman Kazazin dhe familjen e tij.
Nëse për një moment nuk gjenim dot fjalët, shikoja sytë e tij ku rrinin të fshehura sekretet e zemrës së tij. Kishim shumë momente të çmuara ku ai fliste dhe tregonte vetëm me zemër, pa fjalë, pa folur.
Në një moment më ka treguar shkurt për të dashurën e tij Luiza në Itali (ku ai studionte për farmaci) me të cilën ishte i fejuar. Më tregoi një fotografi ku ecnin të dy me biçikletë dhe era ju përkëdhelte flokët. Në sytë e tij pashë trishtimin dhe dhimbjen e zemrës së vrarë. Më tregoi gjithashtu se për Luizën ishte i pamundur kthimi në Shqipëri si pasojë e luftës dhe reprezaljeve. Ajo u largua në drejtim të Kanadasë. Ata kanë folur njëherë të vetme në telefon, Luiza nuk është martuar kurrë.
Kur shoh fotografitë dhe shoh Osmanin më bëhet dhimbshëm e qartë që ai kurrë nuk arriti të takohej me të dashurën e tij dhe kurrë nuk pati mundësinë e krijimit të familjes. Gjithshka ju rrëmbye në mënyrën më të egër të mundshme. I tregova për dëshirën time për të patur fëmijë. Nëse Osmani do ta mbërrinte lindjen e vajzës sime do të bëhej nuni i vajzës sime Jet!
Fatkeqësisht ai nuk e arriti këtë. Një gëzim i madh kur i tregova familjes Kazazi foton e vajzës sime. Ishte një përvojë e bukur. Ata e puthën foton dhe e drejtonin nga fotografia e Osmanit. E quaj vehten njeri me fat që mu dha mundësia të njoh këtë familje të mrekullueshme.
Pas daljes nga burgu Osmani ishte shumë i përfshirë në hallet dhe problemet e popullit të tij. Me këshillën e tij fillova të ofroja ndihma atje ku mundja. Ishte në natyrën e Osmanit që të kujdesej për më të pamundurit dhe të dobëtit, një veti që e zbukuronte.
Babai më thoshte gjithmonë: “Asgjë nuk është e sigurtë në jetë, vlerësoji të mirat që ke” “Ndihmo gjithmonë njerëzit në nevojë” “Ky është besimi vërtetë”. Jam mirënjohës që prindërit më edukuan me vlera të tilla njerzore. Më kanë formuar dhe në sajë të këtyre vlerave jam munduar të ndihmoj Osman Kazazin, i cili gjithashtu më ka shërbyer si kompas në jetën time!
Megjithë vuajtjet që kaloi ai dinte të falte dhe mbeti deri në momentin e fundit një njeri pozitiv për të ardhmen. Ai dha gjithshka për idealet e tij dhe besoi gjithmonë në të mirën brenda njeriut.
Dorëzimin nuk e njihte! Gjatë maratonave të mija në Skoci për të mbledhur ndihma për Shqipërinë, kisha momente të vështira dhe gati dorëzohesha. Por mendja më shkonte tek vuajtjet e Osmanit dhe merrja krahë për të vazhduar përpara!
Osman Kazazi është mishërimi i besimt të njeriut tek idealet e tij. Ai nuk i ka pranuar kurrë akuzat e gënjeshtërta kundër tij dhe u përball i vendosur me torturat më të egra çnjerzore.
Por ai thoshte gjithmonë: “Janë aq shumë të tjerë të cilët kanë vuajtur por nuk kanë mundur të mbijetojnë”. Njerëz të talentuar të cilët do ti jepnin aq shumë vendit të tyre.
Njerëz të cilëve brutalisht ju rrëmbyen vitet më të bukura! Nëse zëri i këtyre njerëzve do të ishte dëgjuar dikur, atëherë Shqipëria nuk do të arrinte kurrë në këtë gjendje.
Osmani bisedonte shpesh me mua për idealet e tij. Jam përpara një heroi të heshtur, i apasionuar dhe i frymëzuar që ka bërë kaq shumë për bashkëvuajtésit e tij. Ai donte ti tregonte botës se çfarë është në gjendje të bëjë një regjim totalitar me popullin e vet. Osmani më tregoi se nga 3.5 miljon banorë që ka Shqipëria, 450.000 ishin të dënuar politikë, ndër të cilët shumë të rinj të cilët sapo kishin kapërcyer fëmijërinë dhe po fillonin jetën. Shqipëria ishte një burg i madh.
Ai më thoshte se miqësia dhe humanizmi janë të vetmet vlera që na bashkojnë. Janë thënie nga një njeri i madh. Kishte shumë momente kur qëndronim pranë njeri tjetrit të heshtur ….pastaj Osmani tregon ngadalë: “Janë aq shumë të tjerë që kanë vuajtur dhe nuk mundën të mbijetojnë, ata nuk duhet ti harrojmë kurrë”. Jam i vetëdijshëm që përpara syve kam një njeri të veçantë, një njeri të thjeshtë pa mburrje dhe ambicie personale apo etje për pushtet. Një njeri që ka fuqinë të bashkojë. Për mua është personifikimi i vërtetë i fisnikërisë.
Në kampin e internimit Säver vizitova bashkë me Osmanin ish të dënuarit politikë, ndër të cilët edhe vëllezërit Jahja dhe Emro Koleci bashkë me bashkëshortet e tyre të dashura Hiqmete dhe Hene. Jetonin akoma në kushtet më të këqia të mundshme. Historitë e tyre të rrënqethnin gjithashtu! Jahja Koleci u dënua me njëzet e gjashtë vite burg për idetë antikomuniste ndërkohë që gruaja e tij ishte shtatzënë me fëmijën e parë. Ai nuk e pa kurrë djalin e tij! Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, djali i tyre ndërroi jetë në moshën nëntë vjeçare. Historitë e tyrë më therin në zemër. Sa mund të durojë qenia njërzore vallë! Pas lirimit të tij nga burgu ata vazhduan të jetonin akoma edhe për gati tridhjetë vite në kampin e internimit Saver. Familja Koleci jo vetëm ka kaluar të gjitha kufinjtë njerzorë te vuajtjeve por edhe i ka tejkaluar ato. Rruga e jetës së tyre nuk qe kurrë normale dhe unë çuditem me forcën e tyre për ta jetuar jetën ashtu si u vjen. Njerëz të veçantë të cilët kurrë nuk i humbën shpresat si në kohë të mira ashtu edhe në kohë të vështira. Dhe dashuria e tyre i rezistoi gjithshkaje! Ata banojnë prej vitesh në mizerje!
Ishte një vizitë shumë emocionuese. Vëllezërit Koleci më treguan se Osman Kazazi ishte për ta një mbështetje e madhe për këshilla, ndihmë mjeksore, ndihmë morale etj. Ata flisnin me shumë respekt për Osmanin. Ai ishte për shumë të dënuar politikë një shok, një vëlla, një ankër, një baba i kujdesshëm. Shpesh më shkojnë mendimet tek këta njerëz të mrekullueshëm dhe historitë e tyre të dhimbshme. Vuajtjet e tyre janë në zemrën time dhe nuk do resht kurrë së treguari botës historitë e tyre.
Me Osman Kazazin kemi vizituar edhe minierën e Spaçit dhe burgun e Burrelit. Në atë minierë ishte ferri i vërtetë. Qenia njerzore nuk kishte kuptim atje! Osmani më tregoi se aty shumë të burgosur vdiqën nga puna e rëndë, ftohti, uria dhe torturat sadiste. Ata nuk kishin as të drejtë varrimi, i hidhnin në minierë!
Megjithatë Osmani kurrë nuk ka menduar të dorëzohet. Ai më tha:“Unë i kisha premtuar bashvuajtësve të mi, të cilët nuk i mbijetuan ferrit, që amanetet dhe fjalët e tyre do ti çoja personalisht familjarëve të tyre”!
E pyeta si kishte mundur të mbijetonte? Osman Kazazi hesht për një kohë të gjatë, sytë e tij flasin shumë, pastaj thotë: “Besimi, gjithmonë i kam thënë vehtes, unë nuk duhet të vdes! Kurrë nuk kam dyshuar në këtë, e dija se sapo të dyshoja sadopak isha i vdekur” “Po ndoqe zemrën e gjen gjithmonë një shpresë për të jetuar” “Një shpresë që do të na çonte në shtetin e së drejtës ku mbizotëron liria e fjalës”.
Rojet e burgut nuk mund ta besonin se Osman Kazazi me forcën e jashtëzakonshme të mbijetesës që e karakterizonte arriti të dalë gjallë nga portat e “Ferrit të Burrelit” dhe të ecë triumfator drejt lirisë! Osmani më tregoi se ai këtë e përjetoi si një moment ultim.
Për mua Osmani është një luftëtar i rezistencës, i rrallë në llojin e tij. Të pranonte jetën ashtu si i erdhi ishte mbase pikërisht një sfidë për të. Një njeri që edhe në momentet më të errëta të jetës së tij mundi të shihte shkëndija drite.
Njëherë e pyeta për besimin në zot. Ai mu përgjegj: “Kam patur disa mendime sa i përket besimit në Zot. E para: Nuk ka mundësi të ekzistojë Zoti, unë realisht jam në ferr. E dyta: Eshtë pikërisht Zoti ai që më dha mendjen dhe kapacitetin për të përballuar këtë dhe për të ndihmuar të tjerët. E treta: Nuk kam humbur, jeta ime nuk ka shkuar kot, unë jetoj!” “Po e them ndryshe, unë vij nga ferri dhe më shiko tani, unë ëndërroj të shkoj në parajsë”……….dhe sytë i shkëlqenin nga shpresa dhe besimi.
Lindi një miqësi e vërtetë midis meje dhe Osmanit në ato vite. Ai më konsideronte si djalin e tij, gjë të cilën e kam përjetuar si një nder të madh. Letrat e tij fillonin gjithmonë me fjalët
“I dashur biri im Paul”…Kjo më mbushte me krenari dhe gëzim.
Me kalimin e viteve Osmanit ju dobësua shumë shikimi dhe vuante shumë nga kjo. Syzet nuk e ndihmonin më për shkak se kishte perde në sy. Vendosa ta sjell në Hollandë për këtë dhe e bëra. Ai shoqërohej nga kushëriri i tij Shpëtim Bushati.
Një miku im okulist, doktor J. Schoorl e operoi falas Osman Kazazin. Më pas ka qëndruar në shtëpinë time deri sa u shërua plotësisht. Kthimin sërish të shikimit Osmani e përjetoi si: Lirimi për herë të dytë nga burgu”. Ishin momente të bukura dhe të çmuara për mua dhe bashkëshorten time Eliane e cila u përkujdes shumë për Osmanin. Në atë kohë jemi vizituar shpesh nga gazetarë të ndryshëm të cilët e kanë intervistuar Osmanin.
Ai tregonte për krimet e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe për kalvarin e vuajtjeve të tij në këtë regjim. Osmani ishte një person me vizion, ai shqetësohej për situatën në Kosovë dhe parashikontë një luftë në të ardhmen.
Kurrë nuk harroi të falenderonte popullin e Holandës në të gjitha intervistat për ndihmën ndaj popullit Shqiptar. Kishte gjithmonë një mesazh për të: “Lirinë dhe demokracinë ta ruani mirë, vlersojeni atë”!
Kur u kthyem në Shqipëri kam biseduar me Osmanin dhe familjen e tij për ngritjen e një monumenti, një monument ku Osman Kazazi do të ishte simboli i lirisë, demokracisë, antikomunizmit dhe antifashizmit. Një monument për të treguar se vuajtjet e të përndjekurve nga regjimi komunist nuk kanë shkuar kot por shërbyen për lirinë e vendit të tyre. Osmani e quajti një nder të madh dhe e priste me padurim.
Më 3 mars të vitit 1999 arrita në Shqipëri dhe mora nga Vladimir Pashku lajmin e hidhur se Osman Kazazi sapo kishte ndërruar jetë.
Një dhimbje e madhe për familjen, për mua ndjehej sikur kisha humbur prindërit e mi. Ai e kishte përmbushur misionin e tij në këtë jetë. Jeta e tij, nëse mund të quhet jetë, kishte qenë një sfidë e rëndë për të. Gjithë jeta e tij ishte përkushtim ndaj atdheut të tij të dashur. I premtova familjes se do të ngrihej patjetër një monument për të.
Osman Kazazi dhe shumë të tjerë si ai, i siguruan vehtes mosharresën me veprat dhe jetën e tyre. Një vend i veçantë në zemrën time do të mbetet gjithmonë për Osmanin.
Pranë varrit të tij i bëra në heshtje pyetjen; “Osman, nëse do të rilind dhe ne takohemi përsëri, mundem të jem prapë miku yt”?
Realizimi i një busti për Osman Kazazin mu bë qëllim në jetë në shenjë respekti për familjen e tij si edhe ndaj të gjithë të përndjekurve të regjimit në Shqipëri.
Në verën e vitit 2000 u inagurua në Tiranë busti i Osman Kazazit në prani të familjarëve të tij dhe të shumë ish të dënuarve politikë. Miku im i mirë, këngëtari dhe poeti Stef Bos, një njeri me zemër të madhe, ka shkruar apostafat për këtë ceremoni tekstin e një kënge të mrekullueshme “Liria”, në kujtim të të gjithë viktimave të regjimit komunist.
Teksti i këngës: Liria
Besoj në luftën e një gruaje
E cila megjithëse e shtypur
Vazhdimisht në kërkim të dritës është
Besoj në fjalën
Qe në heshtje rëndon
Besoj në burrin
Me shkëndijë në sy
Qëndroj në krahun
E atyre në errësirë
Që shpresojnë në një ditë
Që shpresojnë në një ëndërr
Dhe fuqishëm thërras
Liria Liria
Thërras për çdo zë që mbytet
Thërras për çdo zemër që thyhet
Thërras për çdokënd që nuk dëgjohet më
Thërras për çdo grua që vazhdon të besojë
Pashë sytë e një burri
Qe u varros i gjallë
Që dyzet e dy vjet
Në errësirë mbet
Dhe në fund të shekullit
Ne fund të jetës
Dritën pa dhe dashuri dha
Të cilat kurrë nuk i pati
Qëndroj në krahun
E të vërtetës që heshti
Që kurrë nuk u dëgjua
Që kurrë të drejtë nuk pati
Dhe fuqishëm thërras
Liria Liria
Thërras për çdo zë që mbytet
Thërras për çdo zemër që thyhet
Thërras për çdokënd që nuk dëgjohet më
Thërras për çdo grua që vazhdon të besojë
Osman
Vladi
Eisha
Mamuhdije
Viktor
Jara
Reza
Mamuhdije
Fabi
Jola
Mayra
Mamuhdije
Osman
Shukra
Karlos
Mamuhdije
Të gjithë ishin të emocionuar atë ditë. Bashkë me motrat Kazazi përjetuam së bashku, të përqafuar, momente të paharruara emocionale. Kjo ceremoni ishte një nderim për të gjithë ish të dënuarit politikë dhe vuajtjet e tyre. Të gjithë e pranuan jetën e tyre ashtu si i erdhi dhe mbase kjo ishte sfida më e madhe me të cilën u përballën!
Ishte e vetmja drejtësi që mund të lehtësonte sadopak plagët e jetës së tyre. Ish të dënuarit politikë nuk mund dhe nuk duhet të harrohen kurrë, por kurrë kurrë!
Miqësia me familjen Kazazi me thjeshtësinë dhe bujarinë e tyre më ka ka pasuruar jetën.
Motrat bujare dhe mikpritëse të Osman Kazazit Mamuhdije,Xhevrije, Lutfije dhe Sabire kanë përjetuar gjithashtu vuajtje të mëdha por i qëndruan gjithmonë besnike vëllait të tyre. Më vonë kemi vizituar së bashku burgun famëkeq të Burrelit, një vizitë mjaft emocionuese. Motrat Kazazi më tregonin për rrugën e gjatë dhe të vështirë në këmbë që bënin për të takuar njëherë në muaj vëllain e tyre. Ata i dërgonin ushqime një pjesë e mirë e të cilave vidhej nga rojet. Shpesh i shkonte rruga kot, rojet pa asnjë arsye nuk i linin të takonin vëllain. Këto motra heroina vazhduan gjithë jetën të vizitonin vëllain e tyre. Ato më tregonin dhe unë i përfytyroja përpara portës së madhe prej hekuri të burgut të Burrelit në pritje të takimit prej disa minutash me vëllain e tyre. Më pas merrnin përsëri rrugën prej disa orësh të kthimit.
Kam një nderim të veçantë për ta. Ata i mbante gjallë dëshira për jetën dhe ndjenja e humorit pavarësisht vuajtjeve. Në shtëpinë e tyre kishte gjithmonë një vend për mua, isha njeri i familjes.
Osmani tregonte gjithmonë me adhurim dhe dashuri çfarë sakrificash kishin bërë dhe sa kishin vuajtur motrat e tij për shkak të tij për 45 vite me rradhë. Komunizmi i shihte si “armike të popullit”…..për komunizmin ata nuk ekzistonin si njerëz.
Kurrë!…. në sytë e mi ishin njerëz të mrekullueshëm të cilët përjetuan për katër dekada terrorrin më të egër të regjimit komunist dhe ishin viktima të krimit më të madh kundër njerzimit.
Kurrë nuk do të harroj bujarinë, pastërtinë shpirtërore dhe gjallërinë naturale të tyre. Ato janë gjithmonë në zemrën time, përkulem thellë në nderim të tyre.
Familja Kazazi më mësoi qëllimin e jetës. Kurrë xhelozi dhe cmirë, kurrë materialistë por vetëm dashuri dhe ndihmë për njeriun.
Nuk mund të harroj gjithashtu edhe miqësinë me familjen Astrit dhe Nesrete Jegeni-Kazazi dhe fëmijët e tyre të cilët gjithashtu kanë vuajtur si ”armiq të popullit”.
Adhuroj forcën e tyre dhe mënyrën si e kanë ndërtuar jetën.
Bashkë kishim dëshirën e madhe për realizimin e këtij libri. E ndjemë një detyrim moral të tregonim për jetën e rrallë të Osman Kazazit. Ditën e lindjes dhe të vdekjes së tij do të dërgoj nëpërmjet Nesretes gjithmonë, në shenjë nderimi, lule në bustin e tij.
Një falenderim i veçantë për përkthyesin dhe mikun tim Vladimir Pashku, i cili më shoqëronte në vizitat e mia në Shqipëri. Një mik i çmuar me zemër të madhe.
Në Shqipëri nuk ke nevojë të lësh takim për të vizituar njeri sepse atje je gjithmonë i mirëpritur, si në zemrat ashtu edhe në shtëpitë e tyre. Bujaria dhe mikpritja e tyrë është për mua një vatër e ngrohtë!
Dhe pa harruar miqtë e mi Stef Bos dhe Joop Holthausen, njerëz me zemër të madhe, të gatshëm për të ndihmuar, të cilët më kanë mbështetur gjithmonë dhe që i jam tejet mirënjohës.
Janë miqësi që janë lidhur për gjithë jetën! Një nga letrat që morëm nga familja Kazazi kur na lindi vajza jonë Jet, e ruaj me kujdes. Ishte shkruar shprehja e mrekullueshme: “I puthim sytë Jet”. Një urim që e bëjnë vetëm nëse duan dikë me gjithë shpirt. Dhe tani, 20 vite më vonë, udhëtoj nëpër Shqipëri me vajzën time për të ofruar ndihmë për sytë, një udhëtim që filloi me Osman Kazazin. Osman Kazazi më sheh dhe më shoqëron në udhëtimin tim në Shqipëri, ai është gjithmonë me mua.
Jam shumë mirënjohës për librin e mrekullueshëm që është shkruar nga miku im i mirë Astrit Jegeni (bashkëshorti i Nesrete Kazazi), i cili e ka njohur nga afër Osman Kazazin.
Një hymn për Osman Kazazin “ Misionarin e Demokracisë”, i cili ishte për shumë njerëz një pishtar drite në errësirë. Njeriu i mrekullueshëm për të cilin gjithë Shqipëria duhet të krenohet!
P.S. Unë do ti përkushtohem nominimit për marrjen e çmimit prestigjioz Holandez “de Geuzenpenning” pas vdekjes për Osman Kazazin. Ky është një nderim i madh për njerëzit që kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për demokracinë në botë!
* Paul Luijf me profesion okulist nga Hollanda, u bë mik me Osman Kazazin gjatë viteve 1992 deri kur Osmani u nda nga jeta në vitin 1999.