Last Updated on 28/08/2026 by Monika
Dhjetë vatra zjarri janë raportuar në territorin e vendit deri në orën 14:00 të kësaj të premteje, 28 gusht. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, shtatë prej tyre vijojnë të jenë aktive, dy janë nën mbikëqyrje, ndërsa një vatër është shuar plotësisht.
Zjarret janë përqendruar në qarqet Tiranë, Dibër, Vlorë, Gjirokastër dhe Korçë.
Në Malin e Dajtit, strukturat zjarrfikëse dhe të Agjencisë së Mbrojtjes Civile po vijojnë ndërhyrjen në tre vatra të riaktivizuara. Në terren janë angazhuar 25 forca.
Situata më intensive paraqitet në qarkun Dibër, ku vijojnë aktive vatrat në Qafën e Helmës, Vajkal dhe Sllatinë. Fokusi kryesor i ndërhyrjes është në Vajkal, ku operojnë 53 forca, mes tyre 20 efektivë të Forcave të Armatosura, si dhe një helikopter i FA-së.
Ndërkohë, në Sllatinë janë angazhuar mbi 40 forca bashkiake dhe vullnetare. Për këto vatra, autoritetet bëjnë me dije se deri në këto momente nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Në Tërbaç të Himarës, operacioni po vijon me dy automjete zjarrfikëse dhe efektivët përkatës.
Vatra aktive janë evidentuar edhe në Tërbuq të Gjirokastrës, ku po ndërhyjnë tre efektivë me një automjet zjarrfikës, si dhe në Plovisht të Maliqit, ku janë angazhuar tre efektivë dhe një automjet zjarrfikës.
Ndërkaq, vatrat në malin e Dardhës dhe malin e Qukësit janë nën mbikëqyrje dhe, sipas autoriteteve, nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara.
Në mbështetje të operacioneve, përveç kapaciteteve vendore, Forcat e Armatosura kanë angazhuar 20 efektivë dhe një helikopter, me fokus kryesor ndërhyrjen në vatrën e Vajkalit.
Strukturat e Mbrojtjes Civile vijojnë monitorimin e situatës në terren, ndërsa operacionet janë përqendruar në shuarjen e vatrave aktive dhe parandalimin e riaktivizimit të tyre./mxh
