Muzeu Grévin në Paris inauguroi të enjten, më 20 nëntor, statujën prej dylli të Princeshës Diana, një projekt që ishte shtyrë për gati 30 vite pas vdekjes tragjike të saj në vitin 1997. Diana, e njohur si “Princesha e Popullit”, ishte e angazhuar në shumë kauza humanitare, përfshirë luftën kundër AIDS-it dhe ndihmën për viktimat e minave tokësore.
Muzeu kishte planifikuar ta realizonte statujën që në vitin 1996 dhe madje po përgatitej një takim me Dianën, por projekti u anulua pas aksidentit fatal në Paris. Drejtori i përgjithshëm i muzeut, Yves Delhommeau, tha se vendimi për ta ekspozuar tani ishte i natyrshëm, pasi vizitorët e kërkonin shpesh.

Statuja e re paraqet një version më “rrezatues” të Dianës dhe është veshur me fustanin e zi të famshëm që ajo mbante në vitin 1994, natën kur princ Charles pranoi tradhtinë. Për shkak se muzeu zakonisht punon përmes matjeve nga vetë personazhet, ekipi u detyrua të mbështetej te fotografitë dhe një modele me përmasa të ngjashme. Procesi zgjati mbi një vit. Në muze ekspozohet edhe një statujë e Mbretit Charles, në një sallë pranë asaj të ish-presidentit amerikan Donald Trump./MXH
