Nga Francesca Pierleoni
Fillimisht nisi si një kërkim për filmin e tij biografik mbi mbretin e rokut, Elvis Presley, i cili doli në vitin 2022 me protagonist Austin Butler.
Megjithatë, përballë sasisë së jashtëzakonshme të materialit të zbuluar, Baz Luhrmann vendosi të mos ndalej me kaq. Ai krijoi një kapitull të dytë, intim, plot adrenalinë dhe surpriza mbi ikonën Presley – këtë herë në formën e një dokumentari/filmi koncertesh që përqendrohet në pjesën e fundit të jetës së tij, gati dhjetë vitet e koncerteve të pandërprera.
Nga mbi 69 kuti që përmbanin 59 orë negativë filmash – të paparë më parë – të gjetur në kasafortat e Warner Bros., dhjetëra video Super 8 nga Graceland, kryesisht të papublikuara, si dhe gati 40 minuta regjistrime audio të padëgjuara, në të cilat muzikanti rikujton disa nga momentet kyçe të jetës dhe karrierës së tij, lindi “Epic – Elvis Presley in Concert”. Pas debutimit në shtator në Festivalin e Filmit në Toronto, filmi mbërrin në kinematë italiane me Universal më 5 mars. Kolona zanore publikohet në format dixhital dhe CD më 20 shkurt, ndërsa nga 24 prilli do të jetë e disponueshme edhe në një LP të dyfishtë.
“Filmi biografik lindi më shumë si studimi im për Elvisin, për ndikimin që ai pati tek unë si fëmijë”, shpjegoi Luhrmann gjatë një takimi virtual me shtypin ndërkombëtar. “Por me dokumentarin, falë gjithë këtij materiali, donim që publiku të shihte njeriun ashtu siç ishte në të vërtetë. Në shfaqje ndiej emocionin e njerëzve kur e zbulojnë Elvisin në një mënyrë që nuk e kanë parë kurrë më parë. Takon një djalë vërtet të sjellshëm dhe të turpshëm, empatik, por edhe plot humor, që këndon si një zot dhe duket si një zot.”
Filmi përqendrohet në turneun e gjatë të Elvis-it në Las Vegas mes viteve 1969–1976 dhe në performancat e tij në Madison Square Garden në fillim të viteve ’70. Ai ndjek provat në skenë, ndërveprimet me muzikantët dhe familjen, ndërsa sjell edhe pamje nga e kaluara: nga suksesi i tij shpërthyes në mesin e viteve 1950 te shërbimi ushtarak; nga kritikat për stilin e tij provokues e deri te marrëdhënia komplekse me Hollywood-in.
Një nga aspektet më mbresëlënëse që del në pah është lidhja e tij e thellë me fansat. Ata nuk donin vetëm ta dëgjonin, por ta preknin, ta ndienin pranë, të merrnin një copëz prej tij – një obsesion që shpesh kalonte kufijtë. “Për këtë foli edhe babai i Elvis-it, Vernon, i cili tregonte se kur djali i tij ishte 19 vjeç, kthehej në shtëpi i mbuluar me gërvishtje. Vajzat dhe djemtë përpiqeshin t’i grisnin rrobat dhe t’i merrnin çdo send. Në moshën 35-vjeçare, ai i jepet fizikisht audiencës, por spektatorët – sidomos femrat – nuk duan vetëm ta prekin apo ta puthin. Ndjen një nivel shumë të lartë dëshire dhe çmendurie.”
Sipas Luhrmann-it, Elvis provokonte “një lloj etheje kolektive”, por ai gjithmonë i jepej publikut plotësisht. “Është si një qengj sakrifikues që të gjithë e ‘përthithin’ shpirtërisht.”
Regjisori e sheh filmin edhe si një realizim simbolik të ëndrrës së parealizuar të Presley-t për një turne botëror. “Madje bëmë edhe bluza me mbishkrimin ‘Elvis Presley – World Tour’, një ëndërr që ai nuk arriti ta realizonte kurrë. Besoj se fillimisht ai nuk kishte planifikuar të qëndronte kaq gjatë në Las Vegas. Mendonte të shkonte në Evropë, Japoni, Australi, Amerikën e Jugut, Meksikë – kudo. Por në një moment filloi të lëvizte në rreth vicioz. Ishte si një zog që përplaset pas një dritareje. Nëse do të kishte arritur të fluturonte, ndoshta gjërat nuk do të kishin përfunduar kaq keq për të.”
Pas kaq shumë vitesh të kushtuara Elvis Presley-t, çfarë i mbetet regjisorit? “Si fëmijë ëndërroja ta takoja Elvisin dhe të bëhesha mik i tij. Kur nisa këto projekte, nuk ishte ky qëllimi im, por tani, në një farë mënyre, ndihem sikur e kam takuar vërtet.”
Megjithatë, Luhrmann është gati të ecë përpara me projekte të reja, duke nisur me “Zhan D’Ark im”, për të cilin thuhet se ka zgjedhur 19-vjeçaren Isla Johnston si protagoniste.
Burimi: ansa.it/ Përgatiti për botim: L.Veizi
