Në orën 10:00 të kësaj të diele, 26 tetor, salla plenare e Kuvendit të Kosovës pritet të mbushet me ata të cilët morën besimin qytetar në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Deputetët e legjislaturës së 9-të janë thirrur në këtë seancë për të votuar për formimin e qeverisë së re. Por, se a do të kemi qeveri apo jo, kjo mbetet për t’u parë – ndonëse shanset janë minimale.
Ndërkaq, nga LVV-ja nuk kanë folur për çështjen nëse kanë arritur ndonjë marrëveshje me ndonjë prej partive parlamentare. Për më tepër, ishte vetë Kurti i cili para pak ditësh, në një tubim me mërgimtarë në Londër, e pranoi se mund të mos jetë në gjendje që të marrë në dorë edhe një herë ekzekutivin.
Kushtetuta e Kosovës përcakton që nëse përbërja e propozuar e Qeverisë së re nuk e merr shumicën e nevojshme të deputetëve, presidenti/ja i/e Kosovës duhet të emërojë një emër të dytë për kryeministër brenda 10 ditësh, i cili i ka gjasat më të mira për të formuar Qeverinë. I mandatuari i ri për kryeministër sërish do t’i kishte 15 ditë për t’i propozuar Kuvendit përbërjen e Qeverisë dhe programin e punës.
Bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nga viti 2020, kandidati i dytë për kryeministër mund të jetë edhe nga partia e dytë më e madhe – në këtë rast Partia Demokratike e Kosovës. Presidenti/ja shpall zgjedhje të reja nëse Qeveria nuk zgjidhet për herë të dytë, dhe ato duhet të mbahen brenda 40 ditëve nga data e thirrjes./kb
