Një miqësi 13-vjeçare është vënë në pikëpyetje pas një përplasjeje të fortë mes Macklemore dhe Ed Sheeran. Reperi amerikan ka zbuluar prapaskenat e largimit të tij nga turneu “The Loop Tour”, duke pretenduar se deklaratat e tij në mbështetje të Palestinës shkaktuan një përplasje të drejtpërdrejtë me këngëtarin britanik.
Macklemore, emri i vërtetë i të cilit është Benjamin Haggerty, konfirmoi se Sheeran dhe ekipi i tij kanë vendosur ta heqin nga pjesa e mbetur e turneut në SHBA. Por ajo që ka tërhequr më shumë vëmendjen janë detajet që reperi ka zgjedhur të bëjë publike për bisedat e tij me Sheeran.
“Ed Sheeran dhe ekipi i tij kanë marrë vendimin të më heqin nga turneu ‘The Loop’”, shkroi Macklemore në Instagram, përpara se të sqaronte se nuk e konsideron veten viktimë të kësaj situate.
“Ne kemi karriera, para, mundësi, siguri dhe audienca në të gjithë botën. Çfarëdo pasojash që përballemi për ato që themi, ne mund të kthehemi në shtëpi te familjet tona”, u shpreh ai.
Macklemore tregoi se marrëdhënia me Sheeran e ka bërë situatën edhe më të dhimbshme. Dy artistët njihen prej 13 vitesh dhe, sipas reperit, kanë ndarë së bashku net të gjata, seanca në studio dhe skena.
“Ai ka një magji infektuese që kam mësuar ta dua. E konsideroj si vëlla”, shkroi Macklemore, duke shtuar se pikërisht kjo miqësi i ka bërë edhe më të vështira bisedat e fundit.
“Kanë qenë biseda të bazuara në dashuri dhe respekt për njëri-tjetrin, por që sërish përfunduan në një mosmarrëveshje thelbësore”, tha ai.
Sipas Macklemore, Sheeran i ka treguar se Robert Kraft, pronari i New England Patriots dhe i grupit që administron Gillette Stadium, e kishte telefonuar për t’i komunikuar se reperi nuk do të lejohej të performonte në stadium.
Madje, Macklemore pretendon se Kraft kishte kontaktuar edhe pronarë të tjerë stadiumesh dhe se Sheeran ishte vendosur përballë një ultimatumi.
“Ed më tha se Kraft kishte mobilizuar disa nga pronarët e tjerë të stadiumeve dhe së bashku i kishin dhënë një ultimatum: nëse Macklemore qëndron në turne, ti nuk do të lejohesh të performosh në ambientet tona”, pretendoi reperi.
Sipas tij, Sheeran ndodhej në një pozitë tepër të vështirë, pasi qëndrimi i tij tradicional për të mos marrë anë politikisht ishte vënë në pikëpyetje.
Macklemore pretendon se Sheeran i kishte thënë gjithashtu se fjalët “Free Palestine” dhe shfaqja e flamurit palestinez ishin konsideruar fyese nga disa prej njerëzve me të cilët ai kishte komunikuar.
“Unë i thashë se nëse këto fjalë ishin më fyese sesa dhjetëra mijëra fëmijë palestinezë të vrarë nga Izraeli, atëherë kishte një shkëputje themelore mes vendit ku qëndronin ata njerëz dhe vendit ku qëndroja unë”, pretendoi Macklemore./mxh
