Ish-ministri i Financave dhe ish-deputeti socialist, Arben Malaj, ka rikthyer në vëmendje përplasjet e tij të vjetra me kryeministrin Edi Rama, duke kujtuar zgjedhjet e vitit 2013 në Vlorë dhe duke bërë një paralelizëm të fortë me zhvillimet e pritshme politike në vitin 2027. Malaj akuzon Ramën për sulme dhe shpifje gjatë garës së tij si kandidat i pavarur, ndërsa thekson se sjellja politike e kryeministrit, sipas tij, nuk ka ndryshuar me kalimin e viteve.
Reagimi i plotë:
Miredita! Kur konkurova në 2013 në Vlorë si i pavarur me mesazhin “Qyteti i Pavarësisë meriton Deputetin e Pavarur”, Rama sulmoi me çdo lloj shpifje.
Besoj edhe në 2027, rreth 14 vite më vonë, ai do të ketë sërish shumë frikë.
E para, sepse e tmerron hija e Nanos, aq më shumë kur Nano nuk jeton më, por ka lënë pas trashëgiminë e një politikani modern dhe trashëgiminë e një partie demokratike, me liri të fjalës dhe mendimit ndryshe, që shërben si pasqyra ku liderë të tjerë politikë shikojnë vetveten dhe ndjejnë sa larg janë përballë atij modeli.
E dyta, pas 14 viteve, të gjitha në mazhorancën e babëzitur për pushtet ekonomik, udhëheqësi i Rilindjes ndjen peshën e rëndë të dështimit; së pari në dobësimin e shtetit dhe së dyti në provat e rënda, sipas mediave ndërkombëtare dhe shqiptarëve, se modeli që ndërtoi për pushtet absolut dhe të babëzitur i ka krijuar vrima aq të mëdha sa fundosin edhe “Titanikun”.
Ditë të bukur!