Last Updated on 11/11/2026 by Monika
Manchester United po përgatitet për një tjetër ndryshim në pankinë pas një fillimi katastrofik të sezonit që e ka lënë skuadrën në zonën e rënies nga kategoria.
Trajneri Michael Carrick, i cili mori drejtimin në muajin janar, pritet të shkarkohet për shkak të ecurisë prej tetë javësh pa fitore dhe vetëm tetë pikëve të grumbulluara. Kjo situatë alarmante ka detyruar drejtuesit e “Djajve të Kuq” të nisin negociatat për të gjetur një zëvendësues të denjë, ku emri më i preferuar mbetet ai i Mauricio Pochettino.
Sipas raportimeve nga prestigjiozja “The Athletic”, argjentinasi ka kaluar në avantazh ndaj kandidatëve të tjerë si Julian Nagelsmann dhe Eddie Howe për të marrë drejtimin e skuadrës. Për 54-vjeçarin ky do të ishte një rikthim në Premier League, pasi në të kaluarën ai ka drejtuar me sukses skuadra si Southampton, Tottenham dhe Chelsea.
Pengesa e vetme për finalizimin e kësaj marrëveshjeje mbetet Federata Amerikane e Futbollit, me të cilën United duhet të gjejë gjuhën e përbashkët për pagimin e klauzolës së lirimit prej 10 milionë dollarësh. Objektivi kryesor i klubit anglez është që trajneri i ri të ulet në pankinë përpara sfidës tejet të rëndësishme kundër Liverpoolit, e programuar për t’u luajtur më 22 nëntor.
Ndërkohë, mbetet për t’u parë nëse argjentinasi do të drejtojë fillimisht kombëtaren e SHBA-së në dy përballjet e ardhshme kundër Haitit në CONCACAF Nations League përpara se të transferohet në Angli./mxh
