Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se Irani përbën “një kërcënim të madh” për Europën, ndërsa vlerësoi veprimet ushtarake të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit kundër kapaciteteve bërthamore dhe raketore të Teheranit.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, Rutte u shpreh se Irani është pranë sigurimit të aftësive bërthamore dhe raketave balistike, të cilat sipas tij përbëjnë kërcënim jo vetëm për Lindjen e Mesme dhe Izraelin, por edhe për kontinentin europian.
Ai theksoi se NATO nuk është e përfshirë drejtpërdrejt në fushatën ushtarake. “Nuk na kanë kërkuar t’i bashkohemi konfliktit,” tha Rutte, duke sqaruar se operacioni drejtohet nga SHBA dhe Izraeli. Megjithatë, ai pranoi se disa vende anëtare ofrojnë mbështetje logjistike dhe lehtësira, si akses në baza ushtarake apo sisteme mbrojtëse.
Rutte përmendi gjithashtu sistemin Patriot të vendosur nga Spanja në Turqi, si shembull të mbështetjes mbrojtëse në kuadër të Aleancës. Ai nënvizoi se NATO do të mbrojë “çdo centimetër të territorit të saj”, duke theksuar angazhimin 360 gradë ndaj çdo kërcënimi, përfshirë terrorizmin.
Duke iu referuar vrasjes së Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ali Khamenei, gjatë fushatës ushtarake SHBA-Izrael, Rutte deklaroi se shumë liderë europianë e kanë përshëndetur këtë zhvillim, si dhe dobësimin e kapaciteteve bërthamore dhe balistike të Iranit.
Sipas tij, këto zhvillime rrisin sigurinë ndërkombëtare, ndërsa situata në Lindjen e Mesme mbetet e tensionuar dhe me pasoja të mundshme për stabilitetin global./mxh
