Last Updated on 21/07/2026 by EL
Nga Agim Gruda
Para disa ditësh isha i pranishem në prezantimin e librit “Jam Mysliman”, të shkrimtarit Ben Blushi, ku ishin të ftuar personalitete të ndryshme nga qyteti i Shkodrës. Është një libër që ka krijuar shumë polemika, diskutime dhe përplasje të ndryshme.
Ajo që më bëri më tepër përshtypje dhe për të cilën pata mundësinë të diskutoja drejtpërdrejt me autorin, ishte përdorimi i disa terminologjive të caktuara.
Gjatë takimit, ju drejtova me disa pyetje: përse titulli duhej të ishte “Jam Mysliman” dhe jo “Jam fetar”, “Jam ateist” apo edhe emërtimi i një feje tjetër, cilado qoftë ajo?
Kjo pyetje lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si u artikulua përmbajtja e librit, ku termi “radikal” u përdor shpeshherë në lidhje me islamin dhe myslimanët. Më krijoi përshtypjen se kjo gjuhë ndjek një narrativë tashmë dominuese në diskursin publik, ku radikalizmi lidhet thuajse automatikisht vetëm me një fe të caktuar.
Përse duhet të ekzistojë një konotacion kaq i rëndë, i lidhur vazhdimisht vetëm me të njëjtën fe? Sikur problemi të mos qëndronte te mënyra se si individë të caktuar e interpretojnë ose e keqpërdorin besimin, por te vetë feja në tërësi.
Radikalizmi nuk i përket vetëm një feje. Ai mund të shfaqet në çdo fe, ideologji, bindje politike apo grup shoqëror, sa herë që një individ e konsideron të vërtetën e tij si të vetmen të vlefshme dhe kërkon t’ua imponojë atë të tjerëve.
Prandaj, z. Blushi, mendoj se një autor duhet të jetë sa më gjithëpërfshirës dhe jo përjashtues. Përndryshe, rrezikon të mbetet te shprehja: “Shkon gjuha, apo pena, aty ku dhemb dhëmbi”.
Ajo që më bëri më tepër përshtypje është fakti se ky libër “luan jashtëzakonisht shumë me ndjenjat e barkut”. Ai prek dhe nxit pikërisht ato emocione që e çojnë individin drejt përplasjes, jo vetëm drejt një debati racional, por drejt një përplasjeje të fortë emocionale.
Në libër mund të gjenden shumë mënyra argumentimi që krijojnë probleme logjike. Për t’i shpjeguar të gjitha, ndoshta nuk do të mjaftonte një artikull i vetëm, por do të nevojitej një libër tjetër mbi gabimet dhe lajthitjet logjike që hasen gjatë leximit.
Në disa raste krijohet një përgjithësim i nxituar, ku sjelljet e disa individëve ose grupeve radikale mund të krijojnë përshtypjen se përfaqësojnë një komunitet shumë më të gjerë dhe heterogjen.
Në raste të tjera mund të dallohet një dikotomi e rreme, sikur individi duhet të zgjedhë domosdoshmërisht ndërmjet fesë dhe lirisë, fesë dhe demokracisë, besimit dhe arsyes. Në realitet, një person mund të jetë besimtar dhe njëkohësisht të mbështesë shtetin laik, demokracinë, lirinë individuale dhe të drejtat e njeriut.
Këtu haset edhe faji përmes asociimit, ku një identitet i tërë fetar lidhet vazhdimisht me radikalizmin, dhunën apo kërcënimin. Sado që autori të distancohet duke sqaruar se nuk i përfshin të gjithë myslimanët, përsëritja e këtij narrativi e ngulit natyrshëm këtë asociacion te lexuesi.
Një tjetër problem është apeli ndaj frikës. Kur një argument ndërtohet kryesisht mbi idenë se një grup i caktuar rrezikon mënyrën tonë të jetesës, liritë tona ose shoqërinë tonë, lexuesi nxitet të reagojë emocionalisht përpara se të analizojë faktet.
Në këtë mënyrë, “libri luan shumë me emocionet e njeriut”, pa ofruar gjithmonë një prapaskenë të mirëfilltë dhe një analizë politike, shoqërore apo fetare të elaboruar mjaftueshëm për të sjellë një kontribut të frytshëm dhe të vlefshëm për lexuesin.
Pse ndodh kjo?
Sepse në periudhën ku jetojmë, marketingu nuk bëhet më vetëm me bukurinë e penës, por me forcën e emotivitetit. Në vend që të transmetojmë të bukurën e diturisë, shpesh transmetojmë përplasjet e zorrëve, stomakut dhe barkut.
Luhet me ndjenjat më atavike të individit, me frikën, zemërimin, kërcënimin dhe nevojën për të gjetur një armik. Këto ndjenja përçojnë më tepër urrejtje dhe krijojnë ndarje, në vend që të prodhojnë mirëkuptim, dialog dhe afrim.
Me këtë nuk dua të them se duhet ta manipulojmë tjetrin duke ia fshehur realitetin ose duke thënë gjëra të pavërteta, vetëm që të krijojmë një bashkim artificial. Po të jemi realistë, bashkimi dhe ndarja janë dy dinamika që bashkëjetojnë në të njëjtin prizëm shoqëror.
Por edhe kur ekzistojnë ndarje reale, ato duhet të analizohen, të sqarohen dhe të bëhen më të kuptueshme për individin. Nuk duhet të forcohen deri në atë pikë sa të shndërrohen në masa të ngurta emocionale, të cilat, kur përpiqemi t’i përtypim, na bien rëndë në stomak dhe na bëjnë të ulërasim menjëherë: “Dhimbje, dhimbje, dhimbje!”
Pikërisht për këtë arsye, mendoj se “Jam Mysliman” është një libër që nxit fuqishëm ndjenjat e stomakut të individit. Ai arrin të provokojë dhe të krijojë debat, por pyetja mbetet nëse ky debat i shërben vërtet dijes dhe analizës, apo vetëm polarizimit dhe marketingut të konfliktit.
