Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, i cili kryeson një delegacion parlamentar, po zhvillon një vizitë pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Peleshi dhe delegacioni parlamentar kanë zhvilluar takime me kryetarin e Nënkomisionit për Europën në Komisionin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, Keith Self, si edhe me kryetarin e Nënkomisionit për Qeverisjen, Pete Sessions.
Gjatë këtyre takimeve u nënvizua se Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës gëzojnë një marrëdhënie të fortë, të qëndrueshme dhe strategjike, të ndërtuar mbi vlera të përbashkëta dhe një aleancë të palëkundur. Peleshi shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme amerikane në integrimet euroatlantike të vendit dhe në zbatimin e reformave transformuese, me fokus të veçantë reformën në drejtësi.
Gjithashtu në takime u nënvizua rëndësia e marrëdhënieve dypalëshe dhe vullneti për të forcuar më tej bashkëpunimin në fusha me interes të ndërsjellë, në përputhje me prioritetet strategjike dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nën udhëheqjen e Presidentit Trump.
U theksua më tej se ky bashkëpunim po forcohet më tej edhe përmes angazhimit në Bordin e Paqes të SHBA-së, ku Shqipëria është Anëtare Themeluese, pjesëmarrje e ratifikuar edhe nga Kuvendi i Shqipërisë. Në takimin me Kongresmenin Keith Self, kryeparlamentari vlerësoi paraqitjen në Kongres të nismës ligjore “The Presheva Valley Discrimination Assessment Act”, e cila kërkon që Departamenti i Shtetit të raportojë mbi trajtimin e pakicave etnike nga Serbia, me fokus të veçantë te shqiptarët e Luginës së Preshevës. Gjithashtu, u diskutua mbështetja e vazhdueshme e Shteteve të Bashkuara për integrimet euroatlantike të Kosovës dhe rëndësia e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në këto takime, kryetari i Kuvendit, Peleshi, shoqërohej nga deputetët Damian Gjiknuri, Ilirian Pendavinji, Gazment Bardhi, Fatmir Mediu, Jorida Tabaku, Albana Vokshi, Ivi Kaso, Belind Këlliçi, si dhe Klevis Balliu. Kjo vizitë përbën një tjetër hap në thellimin e partneritetit strategjik ndërmjet dy vendeve dhe në rritjen e rolit të diplomacisë parlamentare shqiptare në arenën ndërkombëtare si edhe bashkëpunimin mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës./kb
