Mars 1991 – Mars 1992
Nga Leonard Veizi
Ashtu siç ka pasur një “Nëntor të dytë” ka pasur edhe një “Mars të Dytë”.
Nuk bëhet fjalë vetëm për 22 marsin e vitit 1992. Edhe pse 22 marsi ishte një çast historik, i cili nuk ka të bëjë me vetëm fitoren e një force politike në raport me një tjetër forcë, por lidhet me ndryshimin e një sistemi politik në Shqipëri…
…Ndryshimi i vërtetë kishte nisur që në 31 marsin e një viti më parë, kur ishin zhvilluar dhe të parat zgjedhje pluuraliste pas 45 vitesh të drejtimit monopartiak.
Që prej 28 Nëntorit të vitit 1944, kur Enver Hoxha parakaloi në Tiranën e sapoçliruar me cilësinë e si kryeministër të vendit dhe deri në 22 marsin e vitit 1992, Shqipëria u udhëhoq vetëm nga një forcë politike, nga Partia Komuniste, e transformuar më pas në Partia e Punës.
Pas rënies së murit të Berlinit dhe ekzekutimit të çiftit Çaushesku në Rumani situata politike ndërkombëtare dhe ajo e brendshme sollën ndryshime të shpejta.
Ndryshimet
Me pranimin e pluralizmit politik, Shqipëria u gjend përpara zhvillimit të zgjedhjeve të para pluraliste të 10 shkurtit 1991, të dekretuara nga Presidiumi i Kuvendit Popullor. Ky dekretim ishte bërë para se të pranohej pluralizmi. Pas ndërhyrjes së forcave opozitare, u arrit një shtyrje e datës së këtyre zgjedhjeve, për të cilat u fiksua data 31 mars 1991.
Pas zgjedhjeve u krijua qeveria e re Nano, e cila u vu në vështirësi për shkak të grevës së përgjithshme të Sindikatave të Pavarura, që filloi më 15 maj 1991 dhe përfundoi deri në grevë urie. E gjithë veprimtaria shtetërore e prodhimit dhe e shërbimeve të tjera u ndërpre. Sindikatat kërkonin kushte më të mira pune, shpalljen dëshmorë të martirëve të Shkodrës, dënimin e ekzekutorëve të tyre, etj.
“Marsi i Parë”
Forcat opozitare kishin mjaft epërsi për të fituar zgjedhjet e 22 marsit 1992. Ata formuan koalicionin e përbërë nga PD, PSD e PR. Binte në sy dukshëm epërsia intelektuale e PD ndaj asaj të PS, e cila bazohej kryesisht tek mbështetja në zonat rurale, por dhe kjo në rënie brenda shumë pak muajve.
Ligji zgjedhor ishte mazhoritar i pastër, me dy raunde dhe me 250 zona elektorale, pra me 250 deputetë, aq sa ishte dhe gjatë parlamentit të viteve të diktaturës. Sipas të dhënave të kohës listat numerike të votuesve ishin me rreth 1 milion 985 mijë votues. Në zgjedhje morën pjesë 95 për qind e tyre. Për PDSH votuan 38.71% ose 720 mijë e 948 votues, ndërsa për PPSH votuan 67.6% e votuesve, ose 1 milion 46 mijë e 129 votues. Për PR, votuan 1.38% e votuesve ose 27 mijë e 393 persona, për PBDNJ votuan 0.68% e votuesve ose 13 mijë e 538 persona. Vendet në Kuvendin Popullor u ndanë si vijon: Partia e Punës 161 vende, Partia Demokratike 75 vende, OMONIA 5 vende, dhe Organizata e Veteranëve 1 vend. Por rezultati pati edhe surprizat e veta. PD, humbësja e zgjedhjeve pati rezultat triumfues në qytetet e mëdha. Në Tiranë fitoi 19 nga 29 zona, në Durrës 13 nga 19, në Shkodër 16 nga 19, në Vlorë 7 nga 14.
E papritura
Por ndodhi ajo që nuk pritej. Megjithëse bastioni i së majtës mbetej sërish shumë i fortë, kreu i Partisë së Punës, Ramiz Alia humbet zgjedhjet në zonën e tij. Në zonën elektorale 218 shesh-beteja priste “luftëtarët” e saj dhe mijëra “spektatorë” që dyndeshin për të futur në arkën e vogël fletët e votimit. Fushata elektorale kishte qenë e ethshme. E mbiquajtur si “bastioni i kuq” në po të njëjtin vend ku dikur njihej si “Shtëpia e Partisë”, Enver Hoxha kishte fituar gjithmonë, i vetëm përballë vetes. Më pas edhe Ramiz Alia kishte fituar po përballë vetes së tij. Por këtë herë gjithçka ishte ndryshe. Përballë figurës qendrore që quhej “Presidenti”, por që në fakt ishte veç Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor, qe vendosur posteri me fytyrën e një inxhinieri minierash, me emrin Franko Kroqi. Mesazherët dhe detashmenti besnik mbusheshin gjithë ironi kur shpreheshin: “Pse, ky do ta mundi komandantin!”. Por e pabesueshmja do të ndodhte.
18 vite më pas, gjatë një intervistë që kam realuzuar me Franko Kroqin për gazetën “Telegraf” ai më par rrëfyer, se si fitoi 62 për qind të votave ndaj Ramiz Alisë, pikërisht në “shtëpinë e tij”.
Dëshmia e Franko Kroqit
“Kundër Ramiz Alisë kam dalë me ndërgjegje të plotë. Madje po të më jepej rasti do të dilja sërish kundër tij”. Kështu është shprehur Franko Kroqi, i cili tha gjithashtu se nuk është pajtuar asnjëherë me regjimin komunist shqiptar.
“Ishin zgjedhjet e para pluraliste. U desh vetëm propozimi i një shokut tim dhe Partia Demokratike do të vendoste që emri im të vihej përballë atij të Ramiz Alisë. Natyrisht jo vetëm që nuk kundërshtova, por unë e doja këtë “duel”. Natyrisht që pata dhe presione. Disa herë më thanë të tërhiqesha. Por më e bukur ishte kur spiunët e Sigurimit të Shtetit kërkonin të më shtynin që unë ta shaja Ramiz Alinë. Dhe e dini se ç’u thashë njerëzve të tillë: “Shkoni pirdhuni. Unë kam kurajën që i kam dalë ballë për ballë dhe nuk kam për t’u tërhequr kurrë. Ndërsa ju shajeni sa të doni meqë paskeni qejf. Unë nuk jam në nivelin tuaj”. Dhe kështu unë bëra një fushatë intelektuale dhe dinjitoze, pa sharje dhe pa fyerje. Më 24 mars, disa ditë para zgjedhjeve unë zhvillova një miting të madh tek shkolla “Partizani”. Në të njëjtin orar edhe Ramizi zhvillonte takimin e tij elektoral por tek “Shkolla e Kuqe”. Sheshi i “Partizanit” ishte mbushur plot e përplot. Më kujtohet se disa sigurimsa më kërkuan që unë të shtyja orarin e takimit sepse në këtë orë ish dhe takimi i Ramiz Alisë. Por unë u thashë se nuk e shtyj asnjë sekondë dhe kështu takimet tona u bënë në të njëjtin orar. Ajo ishte zona elektorale 218, ku ndodhej e ashtuquajtura “Shtëpia e Partisë” dhe ku historikisht vendosin kandidaturën e tij Enver Hoxha e më pas Ramiz Alia. Megjithatë unë isha shumë i qetë. Por herën e fundit Ramizi mori rreth 34% të votave, ndërsa unë fitova 62 %, gati dyfish ndaj Sekretarit të Parë të PPSH-së. Në mesnatë erdhën shok e miq në shtëpi dhe më lajmëruan se kisha fituar. Unë atëherë jetoja vetë i shtatë në një shtëpi prej 42 metra katrorë. Ata më morën dhe shkuam sërish në zonë ku më pritën me ovacione të mëdha. Ditë më vonë, ndërsa unë po pija kafe në një cep të kafenesë së Parlament, Ramiz Alia dhe Xhelil Gjoni pinin kafe në cepin tjetër. Xhelili i foli diçka në vesh Ramizit dhe ai ktheu kokën. Unë e pashë drejtë në sy, por si përnjëherë i uli sytë në tokë. Pastaj më pa sërish dhe sërish dredhoi duke ulur sytë. Nuk pati as guximin të më takonte dhe të më uronte për fitoren. Ja ky ishte Ramiz Alia”.
Kjo ishte dhe dëshmia e Franko Kroqit, kwtij inxhinieri tw talentuar, laureuar dy herë me Çmimin e Republikës, dhënë në marsin e vitit 2009.
“Marsi i Dytë”
Zgjedhjet parlamentare të vitit 1992 në Shqipëri u mbajtën më 22 mars, me një raund të dytë votimi për 11 vende i mbajtur më 29 mars. Tanimë kjo vlente për 140 vende në Kuvendin e Shqipërisë.
Sipas të dhënave të kohës listat numerike të votuesve ishin me rreth 1,826,142 për 140 vende në Kuvend.
Pjesëmarrja në votim është 90%. Partia Demokratike mori 1,046,193 vota, Partia Socialiste 433,602, Partia Social Demokrate 73,820, Partia Republikane 52,477, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut 48,923, Partitë e tjera 161,127 vota.
Demokratët fitojnë 62% të votave dhe arritën një shumicë të përgjithshëm 92 nga 140 vende në Kuvend. Socialistët, me 26% të votave, të fitojë 38 vende.
Shqipëria ishte vendi i fundit që drejtohej nga ish-komunistët në Europën Lindore, ndaj edhe interesimi për zgjedhjet ishte i jashtëzakonshëm. Një numër shumë i madh gazetarësh nga e gjithë bota kishin mbërritur në Tiranë për ta ndjekur nga afër situatën.
Rezultati ishte fitorja Partisë Demokratike opozitare, e cila fitoi 92 nga 140 vendet e parlamentit. Partia Demokratike erdhi në fuqi më 22 mars 1992, vetëm 14 muaj nga koha kur ajo ishte themeluar. Pas zgjedhjeve Aleksandër Meksi merr postin e kryeministrit tw vendit dhe Sali Berisha atw tw Presidentit.
STATISTIKA
Rezultati i zgjedhjeve nga marsi në mars
Në zgjedhjet 31 Mars 1991 – 250 vende në Kuvend
Partia e Punës fitoi 149 deputetë
Partia Demokratike fitoi 75 deputetë
Në zgjedhjet 22 Mars 1992 – 140 vende në Kuvend
Partia Demokratike fitoi 92 deputetë
Partia Socialiste fitoi 38 deputetë
