Kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka ka folur mbrëmjen e sotme lidhur me situatën politike në vend. Në një dalje televizive, Ndoka ka shprehur kritika për opozitën e vendit.
“Pa diskutim që edhe ne kemi një opozitë problematike në aspektin institucional. Në fund të fundit opozita është institucion, është pasqyra e kësaj mazhorance. Kur ke një pasqyrë të fortë dhe të pastër, që të t’i shfaqë defektet, detyrohesh të reflektosh. Pasqyra sot është me mjegull, është me avull. Shpeshherë kjo e bën edhe qeverinë që të mos e shohë veten realisht. E bën që të duken njësoj”, u shpreh Noka.
Kreu i PDK foli edhe për Kodin Zgjedhor, për të cilin tha se ka probleme.
“Unë shoh një kod zgjedhor problematik. Kam të drejtën morale ta them, sepse në 2008-ën kam bërë grevë për ta kundërshtuar. Ndërsa sot, opozita e ka pothuajse të pamundur të vijë në pushtet me këtë kod, edhe në kushte normale, madje edhe me qeveri teknike. Ka një disbalancë të votës, është antikushtetues. Ka qarqe si Fieri dhe Vlora ku diferencat në mandate janë shumë të mëdha Reforma territoriale ka qenë një katrahurë. Në vend që të zvogëlonim administratën, e kemi dyfishuar. Po paguajmë më shumë rroga sesa bëjmë investime dhe shërbime për qytetarët”, tha ai.
Ndër të tjera Ndoka tha se opozita nuk ka një standard, nuk ka një draft për sistëmin zgjedhor, ndërsa gjithçka sipas tij e mbyll me pazare.
“Opozita nuk ka një standard, nuk ka një draft të qartë për sistemin zgjedhor. Bëhen lojëra fjalësh dhe në fund gjithçka mbyllet me pazare. Problemi kryesor është morali i politikës shqiptare, që duhet të funksionojë me konsensus dhe jo me pazare”, tha Ndoka./mxh
