Last Updated on 22/09/2026 by Anisa
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar për masat që janë vënë ndaj shefes së SHISH, Vlora Hyseni mëngjesin e kësaj të marte.
Në një konferencë për mediat, ai u shpreh se ky është niveli më i ulët i tradhtisë, ndërsa shtoi se denoncimet ndaj saj, ai i kishte bërë që në vitin 2022.
“Në histori keni lexuar, keni dëgjuar që shefat e shërbimeve të kenë punuar në kundërshtim me ligjet për diktatorë, për agjenci të tjera, por kjo është hera e parë që dëgjoni se shefja e shërbimit në një vend ishte në funksion dhe mbështetje të krimit.
Sot prokuroria ka lëshuar urdhër arrest për Vlora Hysenin, shefen e shërbimit informativ kombëtar si bashkëpunëtore në krim, si njeri që ka shkelur betimin, ligjin dhe sekretet e shërbimit ua ka dhënë kriminelëve.
Nuk ka nivel më të ulët tradhtie ndaj detyrës, ndaj ligjit se ky. Natyrisht, shërbimi informativ kombëtar është një institucion i një rëndësie të jashtëzakonshme për sigurinë kombëtare.
Fillimisht pas të themi largimit të detyruar, gjoja për studime të ish-shefit të shërbimit, Helidon Bendo, në shërbim u dërgua këshilltari i tij, famëziu Kashani, i cili në aktin më të parë, i urdhëruar nga Rama, urdhëroi punonjësit të ndërpresin çdo bashkëpunim me shërbimet partnere. Rast unik. Koreja e Veriut mund ta kishte një urdhër të tillë.
Por, ndërkohë famozja Hyseni ishte në atë kohë këshilltare e Edi Ramës për shërbimet inteligjente.
Ky është denoncim në vitin 2022. Më 24 dhjetor 2022.
Burime shumë të besueshme informojnë se sapo mori detyrën, Vlora Hyseni e shkarkuar nga qeveria e Kosovës sepse plaçkiti të dhënat e shërbimit dhe i dërgoi në adresë të armiqve të Kosovës, emërohet drejtoreshë dhe vizitën e parë, sipas burimeve direkt të kryeministrisë, e bëri në Beograd ku qëndroi mbi 10 ditë.
E kam konsideruar në atë kohë një kërcënim serioz për NATO-n, pasi shërbimet inteligjente të NATO-s ndajnë informacione me shërbimet inteligjente të vendeve anëtare dhe natyrisht në duart e saj ato kanë shkuar në drejtim të padronëve të saj.”, tha ndër të tjera Berisha.
Kryedemokrati theksoi se ajo dhe Agasi takoheshin shpesh në një lokal poshtë shtëpisë së tij.
“Në mënyrë të përsëritur, kam denoncuar se SHISH e kontrollonte Ergys Agasi. Sesa të lidhur ishin Vlora me Gysin dhe Gysi me Vlorën është një lokal aty afër shtëpisë time. Të paktën dy herë në javë drekonin së bashku.
Nuk është se shkonin diku mbrapa Dajtit, jo jo në mes të Tiranës. I kishin të zakonshme drekat dhe darkat dy herë në javë njëri me tjetrin. Ky bashkëpunim dëshmon se në Shqipëri padrino vendosi sistemin e kontrollit kriminal në çdo institucion dhe qelizë të këtij vendi.”, tha Berisha.
/ad
