Nënkryetari i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi është shprehur se mazhoranca nuk do debat në seancat plenare.
Bylykbashi u shpreh se në Kuvend është kthyer në mekanizëm mbyllja e fjalës duke mbyllur seancën plenare. Ai ka shtuar më tej se përveç debatit parlamentar, opozita ka si formë të reagimit politik edhe protestat dhe veprime të tjera.
“Në Parlament, mazhoranca nuk do debat. Dje ishte hera e dytë që mbaja fjalën. Kam kërkuar të flas në çdo seancë, por nuk më është dhënë mundësia. Kanë kthyer në mekanizëm heqjen e fjalës duke mbyllur seancën. Ne kemi debatin parlamentar si instrument të fuqishëm, por jo vetëm atë. Kemi protestat, veprime të tjera, forma të ndryshme të reagimit politik.
Drejtimi i Parlamentit me kryetar Niko Peleshin është problematik. Kuptohet se Rama i jep porositë. Kryetari i Kuvendit është numri dy i Republikës dhe duhet të garantojë balancën e procesit parlamentar. Kur u mbyll seanca dje, u mbyllën edhe votimet dhe iu hoq e drejta për të folur deputetëve që kishin çështje të rendit të ditës. Po shkelet hapur rregullorja. Është e dukshme që urdhrat vijnë nga kreu i grupit parlamentar të PS.“, tha Bylykbashi. / K.M
