Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, ka uruar presidenten e re të Kosovës, Justina Shiroka Pula.
Në një postim në rrjetet sociale, ambasadori shkruan se shpreson në një stabilitet të ripërtërirë politik dhe institucional, duke theksuar se pret të bashkëpunojë me presidenten Shiroka Pula, institucionet e Kosovës dhe spektrin e gjerë politik.
“Me shpresën për një stabilitet të ripërtërirë politik dhe institucional, mezi pres të punoj me presidenten Shiroka Pula, institucionet e Kosovës dhe spektrin e gjerë politik për ta afruar vendin më shumë me Bashkimin Evropian. Mbështetja e BE-së do të mbetet e palëkundur”, thuhet në mesazhin e Schuebel.
Justina Shiroka Pula është zgjedhur presidente e Kosovës më 7 tetor, pas një marrëveshjeje në çastet e fundit mes Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet dhe Partisë Demokratike të Kosovës në opozitë, pak para përfundimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Ajo u zgjodh që në raundin e parë të votimit, me 81 vota për, minimumi i kërkuar në këtë raund. Shiroka Pula, 72 vjeçe, u betua si presidente para deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe tha se e pranon “me përgjegjësi” detyrën e re. /k.m
