Nga Artan Fuga
Duket sikur gjendja politike në Kosovë dhe në Shqipëri është e kundërt, në Shqipëri çfardo skandalesh, krizash që të ndodhin, protestash, akuzash zyrtarësh të lartë për korrupsion, etj, nuk ka zgjedhje të parakohëshme. I bëtë një herë në katër vite ?- ikni tani, lëpini buzët, takohemi pas katër të tjerash:
Kurse në Kosovë për çështjen e Presidentit, kush do ta zgjedhë, jo kush do të zgjidhet, (kjo s’diskutohet fare) ka zgjedhje cdo katër ose pesë muaj. U bë mot mot!
Kjo është dukja, por poshtë ka ngjashmëri të mëdha, fatkeqësisht.
E para, besoj se ne jemi dy vendet në Evropë që kemi të tilla bllokime institucionale, sidomos në nivelin e parlamentar dhe në hallkat e tjera të qeverisjes. Kemi krizë të zgjatur politike.
E dyta, në Kosovë nuk lëshon pe njeri për Presidentin, në Shqipëri deputetët, çfardo krize të ketë Kuvendi, nuk lëshojnë pe për postet e tyre: Nuk thonë ne nuk po e bëjmë punën, shpërndahemi dhe kalojmë në zgjedhje me kushte të negociuara. Pra e njëjta ngecje, ndryshon vendi ku ka ngecur peri i këputur.
E treta, mungesa e kalimit relativisht lehtë në zgjedhje në Shqipëri bllokon jetën politike sikurse ka me muaj e vite, kurse në Kosovë nga zgjedhja në zgjedhje lehtësisht, i mban në gjendje elektorale të gjithë kohës, pra edhe atje politika hyn në ngurtësim. Në Shqipëri në formën paranojake, nuk lëviz nga istikami, në Kosovë në formë skizofrenike, bëhem – prishem çdo katër pesë muaj.
E katërta, këtu akuzohet kryeministri se ka marrë të gjitha pushtetet, kurse në Kosovë opozita akuzon kryeministrin se do të mbajë të gjitha pushtetet, pra të kontrollojë edhe Presidentin.
E pesta, në Kosovë duan një president që të jetë kukull, pra të kontrollohet nga kryeministri, në Shqipëri është tashmë. Si andej si këndej ndarja e pushteteve është e pamundur.
Mund të ketë edhe të tjera, nuk dua të zgjatem në pika të tjera edhe më të nxehta, por ajo që dua të them është se kontrasti institucional Shqipëri – Kosovë është një dukje. Ne shqiptarët jemi në krizë politike të zgjatur, pra të destabilizuar në një farë kuptimi, edhe andej edhe këndej.
Eshtë në “tavë” legjitimiteti, funksionaliteti dhe dinamika e brendshme e pushtetit. E gjitha është bllokim, ngurtësim, ngrirje!
Pushteti bllokon shoqërinë!
Mbetet të arsyetohet se përse, kush e shkakton, për çfarë qëllimesh, dhe pse nuk mendojmë më thellë për t’u vënë në rrugën e një sistemi politik të qendrueshëm, funksional, të dobishëm.
Pse kemi ngecur në sistemin më të keq politik të kohës sonë që është republika kryeministrore?
E po kjo nuk bëhet pa i vënë gishtin kokës dhe menduar përtej sloganeve.
Ndërkohë kombi sfilitet, shkrihet, dobësohet!
Dhe sikur të mos mjaftojë kjo, dy klasat politike menaxhojnë një krizë marrëdhëniesh mes dy vendeve, as në Shqipëri nuk thonë, si jemi ftohur kështu me Kosovën, as në Kosovë nuk dëgjohen të thonë: More si jemi bërë si krushq të ngrirë me Shqipërinë!!!
