Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar ashpër pas dakordësimit mes mazhorancës dhe opozitës për Rregulloren e re të Kuvendit, duke e cilësuar situatën si një “marrëveshje të heshtur mbijetese” mes dy kampeve politike.
Sipas Salianjit, bashkëpunimi i përsëritur mes PS dhe PD në momentet kyçe politike nuk përfaqëson përballje reale politike, por një sistem që, siç u shpreh ai, dëmton qytetarët dhe deformon alternativën politike në vend.
Në vend që opozita të ishte alternativa morale dhe politike përballë pushtetit, po shohim një marrëveshje të heshtur mbijetese: Rama mban pushtetin, Berisha mban partinë. Dhe në fund humbësi i vetëm mbeten qytetarët shqiptarë, të cilëve po u merret e drejta për të zgjedhur mes alternativash të vërteta.
”Berisha voton për Ramën, Rama garanton pa garë Berishën nesër dhe qytetarëve u hiqet çdo mundësi reale zgjedhjeje.
Kur opozita bashkon votat me qeverinë pikërisht në ditët më të vështira të saj, nuk kemi më përballje politike, por mbijetesë të ndërsjellë.
Të bashkosh votat me Ramën dy javë rresht, në momentin kur qeveria është nën presion për korrupsionin, zgjedhjet, standardet demokratike dhe integrimin europian, është mëkat ndaj shoqërisë dhe tradhti ndaj demokratëve që kanë sakrifikuar për të rrëzuar këtë regjim.
Kur narrativa është se Shqipëria jeton në regjim dhe se integrimi europian duhet të bazohet mbi meritë, atëherë pyetja është e thjeshtë: çfarë merite ka Edi Rama që sa herë ndodhet në zgrip, merr oksigjen politik nga Sali Berisha?” shkruan Salianji.
Deklarata e tij vjen në një moment kur mazhoranca dhe opozita kanë gjetur gjuhën e përbashkët për Rregulloren e Kuvendit, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi ndryshimet e mëparshme të njëanshme të miratuara nga mazhoranca.
Sipas marrëveshjes së re, palët kanë bërë lëshime të ndërsjella: mazhoranca ka hequr dorë nga shkurtimi i kohës së diskutimeve dhe procedurat e përshpejtuara për ligjet e integrimit, ndërsa opozita ka marrë disa përfitime si rritja e numrit të këshilltarëve dhe ndryshime në funksionimin e komisioneve parlamentare.
Rregullorja e re ruan gjithashtu arkitekturën me 11 komisione dhe përcakton qartë mekanizmat e raportimit të institucioneve të pavarura, përfshirë SPAK-un, i cili nuk do të raportojë më në seancë plenare, por vetëm në komisionet parlamentare.
Në këtë kuadër, marrëveshja është interpretuar nga opozita e brendshme si një kompromis politik mes dy palëve të mëdha, ndërsa kritikët e shohin si një pakt që shmang përballjen reale politike në Kuvend./A.D