Kryetarja e Komisionit për Median dhe të Drejtat e Njeriut, Jorida Tabaku, njëkohësisht deputete e PD, ka zhvilluar një takim me Ambasadorin Jan Braathu, Përfaqësues i OSBE-së për Lirinë e Medias, gjatë vizitës së tij zyrtare në Shqipëri.
Në fokus të diskutimit ishte gjendja e medias në vend, pavarësia editoriale, presionet ndaj gazetarëve, si dhe roli i medias publike në luftën kundër dezinformimit.
Tabaku u shpreh se Shqipëria ndodhet në një moment kritik për lirinë e medias, duke theksuar se besimi i publikut ndaj mediave po bie për shkak të presioneve dhe mungesës së transparencës.
Ajo nënvizoi angazhimin për ligjin e ri për median dhe AMA-n, si dhe për reformimin e institucioneve si RTSH dhe AMA, në bashkëpunim me Këshillin e Europës. Tabaku rikujtoi gjithashtu propozimin për heqjen e shpifjes nga Kodi Penal, i cili sipas saj nuk është pranuar nga mazhoranca.
“Ligjet nuk mund të shkruhen vetëm për t’u rrëzuar politikisht. Liria e medias nuk është formalitet burokratik, por kusht themelor për demokracinë,” tha Tabaku.
Në takim u diskutua edhe për ligjet kundër padive SLAPP, që pritet të finalizohen deri në fund të vitit, si një mekanizëm për mbrojtjen e gazetarëve nga paditë abuzive.
Tabaku kritikoi gjithashtu qeverinë për mënyrën e përdorimit të procesit të integrimit europian, duke thënë se shpesh shërben si justifikim për miratimin e ligjeve pa debat real.
“Ky proces duhet të jetë real, i prekshëm dhe i ndërtuar mbi standarde europiane. Jo një proces burokratik i mbajtur peng nga qeveria,” u shpreh ajo./A.D
