Last Updated on 07/02/2026 by Monika
Nga Spartak Ngjela
Foltorja e Saliut po rezulton të jetë një asgjë që thotë vetëm fjalë pa lidhje, sepse Saliu kërkon t’i thotë opinionit publik që ai është ende në politikë. Por nuk ka dhënë asnjë ide, dhe kuptohet se në mbrojtjen e vet që po e bën në lidhje me procesin penal që është ngritur kundër tij nga SPAK, deri tani ai po i shmanget faktit juridiko-penal.
Dhe kjo është arsyeja që Saliu ndërkohë po bën një mbrojtje joprofesionale, por vetëm një mohim të karakterit popullor, dhe aspak juridik në funksion të provës që po i paraqet akuza. Sepse kjo është sakaq mbrojtja që Saliu po e paraqet në procesin penal që po vijon në SPAK kundër tij.
Por në fakt, Sali Berisha po kuptohet, se deri tani nuk po ka forcë politike.
Por, pse Sali Berisha po qëndron ende në krye të Partisë Demokratike?
Sepse ai tani ka makthin e tij se mos e dënon SPAK-u.
Por, a do t’ia bëjë gjyqin SPAK-u Sali Berishës?
Procesi penal kundër Berishës është në vijim, por nuk po kuptohet SPAK se çfarë po kërkon të bëjë; ngaqë tani dihet se SPAK e ka marrë Saliun si të pandehur edhe për 21 janarin.
Atëherë?
Deri tani asgjë. Ngaqë këtu ka mbetur gjithçka.
Por duhet të shohim se çfarë do të ndodhë pas thirrjes së fundit që i bëri SPAK-u Saliut.
Kurse Saliu ndërkohë ka hyrë në rrugën e tij pa vlerë të protestave të shurdhëta e pa asnjë forcë, që ai po bën. Dhe po i bën, sepse kuptohet që Saliu po kërkon të largojë frikën e tij të brendshme që ka në lidhje me akuzën për korrupsion në SPAK.
Kjo është arsyeja që prandaj në fjalimet e tij ai kërcënon SPAK-un, sikur ai ka forcë. (!)
Komedi.
Por duhet ta shohim me vëmendje të gjithë procesin, sepse komedinë nga tragjedia një fill floku e ndan, dhe është i njour rasti që, kur një i pandehur mohon akuzën pa lidhje sipas logjikës mbrojtëse juridike, ai bie në një nivel jologjik dhe prandaj kuptohet se e rëndon edhe më shumë veten penalisht në funksion të akuzës që i është ngritur nga prokuroria që e ka hetuar.
Të shohim se si do të shkojë në javën që po vjen kjo çështje, pas thirrjes së fundit që iu bë Saliut në SPAK. Sepse duhet ta theksojmë që, procesi penal që është duke vijuar kundër Sali Berishës, është në fakt një proces historik në lidhje me historinë e pritshme të Shqipërisë, sipas kësaj pyetjeje:
Me apo pa Saliun në politikën aktuale të Shqipërisë?
