Last Updated on 02/10/2025 by adminfjala
Më pak se 30% e punonjësve në Shqipëri përdorin internet në vendin e punës, përkundër 63% që është mesatarja e BE-së, sipas të dhënave të Eurostat-it për vitin 2024. Vetëm një pjesë e kufizuar e punonjësve shqiptarë përdorin internetin gjatë orarit të punës, duke e renditur vendin tonë mes shteteve me nivelin më të ulët në kontinent.
Në vendet nordike, si Suedia dhe Finlanda, mbi 85% e punonjësve përdorin internet në vendin e punës, duke treguar një integrim të plotë të teknologjive digjitale në mjediset e tyre të punës. Të dhënat e Eurostat-it tregojnë diferenca të mëdha në nivelin e digjitalizimit mes ekonomive europiane. Shumë ndërmarrje në vendin tonë, veçanërisht ato të vogla e të mesme, ende nuk kanë arritur të integrojnë teknologjitë online si pjesë të përditshme të aktivitetit të tyre ekonomik.
Në shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor, niveli i përdorimit mbetet dukshëm më i ulët se mesatarja europiane. Teksa BE-ja arrin një mesatare prej 62.9%, Shqipëria, së bashku me Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovinën, renditet në zonën ku përqindja e punonjësve që përdorin internetin në punë është shpesh më pak se 30%.
Arsyet e kësaj diference lidhen ngushtë me strukturën ekonomike të vendit tonë. Pesha e lartë e sektorëve tradicionalë, si bujqësia dhe ndërtimi, ku interneti nuk është mjet kryesor pune, kufizon ndjeshëm digjitalizimin e tregut të punës.
Në Shqipëri, një pjesë e madhe e ndërmarrjeve janë mikro ose të vogla, me kapacitet të kufizuar financiar e teknologjik për të investuar në pajisje digjitale dhe trajnime për punonjësit. Për më tepër, mungesa e shtrirjes së plotë të infrastrukturës moderne të internetit në zonat rurale e thellon hendekun mes qyteteve të mëdha dhe pjesës tjetër të vendit.
Shumë kompani shqiptare vijojnë të mbështeten te mënyrat tradicionale të punës, duke mos e parë internetin si një instrument që rrit produktivitetin. Krahas kësaj, mungesa e aftësive digjitale te një pjesë e madhe e fuqisë punëtore, sidomos te brezat më të vjetër, përbën një pengesë shtesë për përhapjen e gjerë të teknologjisë në punë./kb
