Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, ka përsëritur të hënën, më 5 janar, kundërshtimin e vendit të saj ndaj çdo ndërhyrjeje të Shteteve të Bashkuara në punët e brendshme të vendeve të tjera, përfshirë Venezuelën, si dhe ndaj ideve për ekstradimin e presidentit të këtij vendi.
Në nisje të konferencës së saj të përditshme për shtyp, Sheinbaum deklaroi se Meksika refuzon kategorikisht çdo formë ndërhyrjeje të huaj.
“Ne e refuzojmë kategorikisht ndërhyrjen në punët e brendshme të vendeve të tjera.”
Ajo shtoi se Meksika është një shtet sovran, por theksoi se vendi i saj vazhdon bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara në luftën kundër trafikut të drogës dhe në çështjet e sigurisë.
Deklaratat e presidentes meksikane vijnë pas komenteve të presidentit amerikan Donald Trump gjatë fundjavës, i cili la të kuptohej për mundësinë e veprimeve ushtarake në territorin meksikan për të luftuar kartelet e drogës.
Qëndrimi i Sheinbaum është në përputhje me politikën e qeverisë së saj që nga marrja e detyrës në vitin 2024, si dhe me Kushtetutën e Meksikës, e cila e përcakton mosndërhyrjen si parim themelor të politikës së jashtme.
Presidenti Trump ka sugjeruar prej kohësh se veprimet ushtarake mund të jenë të nevojshme për të luftuar kartelet e drogës që veprojnë në Meksikë. Pas rikthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë vitin e kaluar, administrata e tij e shpalli Kartelin Sinaloa dhe grupe të tjera kriminale si organizata terroriste, duke ringjallur një plan të pezulluar në vitin 2019 me kërkesë të ish-presidentit meksikan Andres Manuel Lopez Obrador.
Ndërkohë, në muajin gusht, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se administrata amerikane mund të përdorë edhe ushtrinë për të goditur kartelet e drogës./mxh
