Kryeministrja italiane Giorgia Meloni është takuar në Milano me Zv/presidentin e Shteteve të Bashkuara, JD Vance, vetëm disa orë përpara ceremonisë hapëse të Lojërave Olimpike Dimërore. Në takim ishte i pranishëm edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.
Takimi u shfrytëzua për të rikonfirmuar marrëdhëniet e forta mes Italisë dhe Shteteve të Bashkuara, pavarësisht polemikave të fundit që kanë shoqëruar praninë e personelit amerikan të sigurisë gjatë Olimpiadës.
“Mirëpres zv/presidentin e Shteteve të Bashkuara dhe Sekretarin e Shtetit. Ata ndodhen këtu për ceremoninë hapëse të Olimpiadës, por kjo është gjithashtu një mundësi për të diskutuar çështjet tona dypalëshe,” deklaroi Meloni, duke theksuar se Italia dhe SHBA kanë pasur gjithmonë marrëdhënie shumë të rëndësishme dhe po punojnë për të forcuar bashkëpunimin në disa fronte, si dhe për dosjet e hapura ndërkombëtare.
Kryeministrja italiane vuri në dukje edhe vlerat e përbashkëta që lidhin dy vendet, duke kujtuar se takimet mes palëve kanë ndodhur në momente simbolike, nga zgjedhja e Papës së ri deri te Lojërat Olimpike, të cilat sipas saj përfaqësojnë unitetin e qytetërimit perëndimor.
Nga ana e tij, zv/presidenti amerikan JD Vance u shpreh entuziast për vizitën në Itali.
“E duam Italinë dhe popullin italian. Kemi marrëdhënie shumë të mira, lidhje të forta ekonomike dhe partneritete të rëndësishme,” deklaroi ai, duke përgëzuar autoritetet italiane për organizimin e Olimpiadës dhe duke theksuar se fryma e Lojërave – miqësia, konkurrenca dhe respektimi i rregullave – pasqyron vlerat e përbashkëta mes dy vendeve.
Takimi zhvillohet në një klimë tensionesh në Itali, pas zbulimit se analistë të lidhur me një njësi të Shërbimit Amerikan të Emigracionit dhe Doganave, ICE, do të ndihmojnë delegacionin amerikan gjatë Lojërave. Ky lajm ka shkaktuar reagime politike dhe protesta në Milano, ku qindra qytetarë dhe studentë kanë shprehur shqetësime për rolin e tyre dhe ndikimin në sigurinë e eventit.
Pavarësisht polemikave, Roma dhe Uashingtoni theksojnë se bashkëpunimi strategjik mes dy vendeve mbetet i fortë, në një moment kyç për marrëdhëniet euro-atlantike./mxh
